Dashamir Shehi, thirrje PD-së: Mjaft më, të kthehemi në Kuvend. Ndryshe do marr vendim personal

Ka bërë thirrje të qartë që opozita të kthehet në Kuvend dhe t’i japë fund bojkotit, aleati i demokratëve, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi. Shehi është shprehu për Ora News se “bojkoti është si greva e urisë, greva nuk është për të vdekur, por për të sensibilizuar. Është për të kujtuar të tjerët që ne shkojmë deri në ekstremin e rezistencës dhe të luftës për idenë tonë. Edhe bojkoti nuk është për të ndenjur jashtë parlamentit dhe për të humbur mandatin, se do të ishte si greva e urisë që çon drejt vdekjes”. Shehi shprehet se bojkoti e ka kryer misionin e tij, dhe nuk ka më arsye të qenësishme që opozita të qëndrojë jashtë Kuvendit.
“Unë nuk shikoj tani motive të qenësishme sot për sot për të qëndruar jashtë. Besoj se bojkoti e ka kryer funksionin. Që do të thotë, njëherë u vendos në vëmendjen e ndërkombëtarëve, mazhoranca e sotme, me arrogancën ose jo, u detyrua që deputetët t’i dërgojë në Prokurori, u miratuan komisionet dhe rregullorja që fjala të merret”. Sipas tij, nëse gjërat shkojnë në ekstrem, vetë ai, por edhe të tjerë do të detyrohen të marrin vendime personale, për të mos djegur mandatet e deputetit.
Add new comment