Dashamir Shehi: Opozita e sotme e ka një handikap

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi në një intervistë për gazetën “Mapo”, shprehet se, “e shumë mirë që kryeministri nuk largohet pas nëntë muajsh, por kjo nuk ia heq të drejtën morale opozitës që të kërkojë të bëjë protestat e saj”.
“Nuk mund të kërkohen zgjedhje të reja nëntë muaj pas kësaj qeverisjeje. Kjo do të ishte jashtë politikës reale. Largimi i kryeministrit apo ministrave, targeti i identifikuar për t’u larguar është kërkuar dhe do të kërkohet vazhdimisht nga opozita sepse në fund të fundit protesta popullore, kritika opozitare, të gjitha këto duhet të kenë një objektiv të opozitës sepse ndryshe nuk bëjmë më politikë pastaj. Kështu që, nga ky këndvështrim unë e konsideroj normale…”, shprehet Shehi.
Kreu i LZHK-së nënvizon më tej se, “opozita e sotme e ka një handicap”. “Që koha e tanishme është shumë e shkurtër. Dhe koha e qeverisjes të së djathtës ka qenë realisht e gjatë. Koha e qëndrimit në opozitë është e shkurtër dhe shpesh herë na duhet që të godasim qeverinë e sotme me qeverinë e djeshme, kur në fakt logjika e opozitarizmit është që qeveria e sotme goditet me qeverinë e të nesërmes, domethënë në të gjithë këtë lloj dialektike kemi një defekt kohor”, thotë Shehi.
Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në vitin 2015, ai thotë se: Gjykoj që PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. PD-ja dhe gjithë opozita është një shans i madh për të verifikuar mjetet e veta politike, për të konfirmuar ringjitjen edhe morale të opozitës, ndaj dhe gjykoj që do të ishte një ide shterpë mungesa e opozitës në zgjedhjet lokale. Ky do të ishte një dorëzim pa kushte sepse nëse pushteti lokal do të kontrollohej i gjithi në një dorë, atëherë do të krijohen premisat që edhe zgjedhjet politike të jenë të cunguara.
http://mapo.al/2014/05/dashamir-shehi-qeverisja-e-sotme-nuk-rrezohet-qeverisjen-e-djeshme/ S.S
Add new comment