Dallga e fundit e jehonës ndaj intervistës së Maks Velos

Postuar në 11 Shtator, 2014 03:46

Intervista e Maks Velos dhënë për gazetën “Mapo” para disa ditëve, vijon të ketë jehonë. Kështu edhe sot në disa prej gazetave kryesore figurojnë disa opinione që qarkojnë “mendimet” e Velos për veriorët dhe myslimanët. Lekë Tasi në gazetën “Panorama” e vë theksin te liria e shprehjes, e cila nuk ka pse të kompleksohet nga akuza si ajo e Agron Gjekmarkajt se Maks Velo është vllah. “Prononcimet e forta qenkan privilegje që i takojnë vetëm trungut shqiptar, arbër, ndërsa degët u dashka të tregohen të matura?”, pyet Tasi, duke e pranuar si premisë të vërtetë për një moment se Velo është vllah. Dhe duhet thënë se kjo e Gjekmarkajt që i krediton shqiptarët “puro” me atributet e të vërtetave të mëdha, është ku e ku më e kithët me normat e logjikës, sesa deklarata e Maks Velos që shpreh një opinion të vetin. Ndërkohë “Mapo” ka botuar dy opinione që lidhen me të thënat e Maks Velos. Njëra është e Ylli Patës, që e quan Aparteid këtë të Maks Velos duke iu përmbajtur idesë se zgjidhja e këtyre ndasive kalon nga demokracia dhe integrimi. Në fund, autori i intervistës, Alfred Lela ka dalë me një përmbledhje me titull: “Maks Velos ç’i panë sitë...”.  Çfarë thotë Lela që e nis me një koordinatë gjuhësore labe në titull,  duke tradhtuar kështu një perceptim të përgjithshëm, burimisht ndoshta te filmat me partizanë, që barazon Jugun vetëm me lebërit?  Duket se intervista dhe sidomos reagimet ndaj saj i kanë dhënë një argument më shumë në atë që ngjan si bindje për ndarjen Jug-Veri, të cilën e sheh të mishëruar si kundërvënie të vërtetë te periudha e komunizmit, me toskërishten që “fitoi”, me gjysmë të shkolluarit e Enverit  në Lindje, përballë të cilëve qëndrojnë sidomos katolikët e shkolluar në Perëndim. Në këtë kuadër, kjo dikotomi, ka prodhuar disa kategori shqiptarësh, sipas qasjes që ata i bëjnë çështjes në fjalë. Dhe kjo “gjenealogji” përfshin unitaristët(me Shqipërinë e Enver Hoxhës në mendje); veriorët të cilët nuk kanë nevojë për mbrojtje luftarake, të cilëve “Maks Velo nuk ua zhbën dot kryelartësinë, sepse kanë qenë në krye të punëve të Shqipërisë që me Gjergj Kastriotin”; Intelektualët- këtu emri i vetëm i lakuar, në një pozicion atipik sipas Lelës është vetëm Ardian Vehbiu. Në fund janë edhe paranojakët. Këtu linku i shkrimit të plotë: http://mapo.al/2014/09/11/maks-velos-ci-pane-site/

“Të pjekur kombëtarisht do të jemi kur me këto (dallimet veri-jug) të ndërtojmë një regjistër autorionie”, shkruan Lela me një sugjerim për administrim ndryshe të gjeopolitikës së emocioneve brendashqiptare.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.