Dëshmia/ Rrëfimi i 88 vjeçarit Xhafer Peçi: Si e çliruam Tiranën në 17 nëntor me 127 dëshmorë

nga Leonard Veizi
...Tirana u çlirua... Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar ka thënë më 17 nëntor të vitin 1944. Më pas është transmetuar Himni i Flamurit Kombëtar. Këto i mban mend mirë Xhafer Peçi, një nga komandantët partizanë që mori pjesë për çlirimin e kryeqytetit. Jo vetëm pika strategjike si Pallati i Brigadave, Banka e Shqipërisë, kompleksi i Ministrive, Komandatura, Centrali dhe burgjet, por dhe stacioni i vetëm radiofonik i Shqipërisë ishte një nga shënjestrat kryesore të njësive që do të sulmonin për çlirimin e Tiranës nga pushtuesi nazist. Në këtë mënyrë kompanisë së dytë të batalionit të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese iu dha detyra e marrjes me çdo kusht të zërit propagandistik, që prej pesë vitesh drejtohej nga pushtuesit. Ndërkaq edhe nazistët, të cilët vazhdonin të kishin nevojë për ngritjen e moralit të ushtrisë së tyre, e kishin përforcuar mirë godinën e Radio Tiranës që në ato vite ndodhej te Rruga e Kavajës, pranë rrugës “Kont Urani”. Në këtë mënyrë, sulmi për të marrë Radiostacionin e vetëm bëhej edhe më i vështirë...
...Përparimi i ushtrisë sovjetike në të gjitha frontet, i cili më 15 tetor çliroi Nishin, i detyroi trupat ushtarake naziste për të mos mbetur të bllokuara, të tërhiqeshin nga Ballkani, duke përdorur rrugët përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës. Trupat e Rajhut u përkisnin gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 veta kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste, që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 shqiptarë të armatosur që ishin bashkuar me forcat gjermane. Armiku në qytet kishte bërë fortifikime dhe vende-vende si në ndërtesa kryesore, kazerma, centralin elektrik, etj. kishte vendosur mina. 88-vjeçari Xhafer Peçi, i cili në atë kohë ka qenë komandant Batalioni në Brigadën e parë Sulmuese, rrëfen me ngjyra të gjalla, atë çka ndodhi gjatë 19 ditëve të luftës frontale për çlirimin e Tiranës. Ai mban mend deri në detaje gjithçka ka ndodhur 70 vite më parë. Në vesh i oshëtijnë ende gjëmimet e topave ndërsa para syve parakalon e gjithë situata e një beteje të përgjakshme. Kujton se është luftuar në çdo qoshe muri, shesh, rrugicë e dritare. Në këtë mënyrë, arena e luftimeve për të mbajtur me çdo kusht, apo marrë me çdo kusht kryeqendrën shqiptare, u bë tepër e egër.
Kur do të motivohej sulmi mbi Tiranë?
Pas Kongresit të Përmetit u formua dhe Divizioni i Parë, në përbërje të të cilit ishin Brigadat e 1-rë, e 4-t, e 5-të Sulmuese dhe komandoheshin nga gjeneral Dali Ndreu dhe nënkomandant kolonel Mehmet Shehu. Na u dha urdhër që në qershor të kalonim në Shqipërinë e Mesme e në Veri. Pas disa përpjekjesh me forcat naziste u hodhëm në Maqedoni. Kaluam zonën e Gostivarit, qëndruam në Kërçovë për 20 ditë, ku anglo-amerikanët na hodhën nga ajri ushqime, veshmbathje e municione. Aty sulmuam Dibrën dhe këtë aksion e ka udhëhequr Mehmet Shehu, i cili kishte nën komandë edhe Brigadën e Parë Kosovare dhe Brigadën e Parë Maqedonase. Në 28 tetor na u dha urdhri për të sulmuar Tiranën. Unë mora pjesë në luftimet për të marrë Radio-Tiranën. Dua të them se sulmi për të marrë kryeqytetin, Tiranën, është një histori heroike e luftës së Dytë Botërore nga partizanët Shqiptar
Në çfarë situate do të vinte urdhri?
Plani i Komandës së Përgjithshme përcaktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës, asgjësimin e forcave armike dhe mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni i I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën e III, për çlirimin e asaj krahine. Në fazën e dytë do të futeshin në luftim Brigadat VIII, X, XXIV. Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi me aftësi të rrallë operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII e X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje armikut gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.
Kur do të fillonte realisht sulmi?
Mësymja filloi në orën 18.00 të 29 tetorit. Vështirësia më e madhe për partizanët e Brigadës I u paraqit tek kazermat e Xhenios, aty ku sot është Ministria e Mbrojtjes. Aty kishte pozicione të fortifikuara. Gjermanët rezistuan për një kohë, por kur pashë se do të rrethoheshin plotësisht, u detyruan të tërhiqen dhe kazermat ranë ne duart e partizaneve, si dhe spitali civil e ushtarak që ishin pranë njëri-tjetrit. Duke kontrolluar ndërtesat e zëna, me dorëzuan partizaneve 40 e ca ballistë të armatosur që ishin fshehur. Luftime u zhvilluan në rrugët “Bajram Curri”, Tafajve, në Kodrën e Kuqe, Medrese, në postën pranë “Varrit të Bamit", në rrugën "Hoxha Tahsim", para sheshit “Avni Rustemi”. Brigada e IV sulmoi ne kodrat afër Pallatit te Brigadave dhe në Tiranën e Re.
A u vu ne zbatim i gjithë plani i përgatitur?
Pas 10 orë luftimesh Brigada I doli në rrugën e "Barrikadave", armiku u tërhoq me nxitim dhe nuk mundi të vinte ne zbatim planin për të hedhur ne erë depot e ujit, spitalet, komandën e xhandarmërisë, etj; Fillimi i mbarë i mësymjes tregonte përgatitjen e divizionit për betejën e madhe, vendosmërinë e komandave e luftëtarëve për të çliruar Tiranën. Ky fillim i mbarë iu dha krahë partizaneve dhe ringjalli gëzim të madh në popullsinë e qytetit. Deri më 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Partizanët jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë ne brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 10 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes.
Çfarë përmbante faza pasardhëse?
Ne fazën e dytë erdhën edhe Brigadat VIII, X, XVII, XXII, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Të gjitha këto vareshin nga shtabi operativ. Brigada VIII mori detyrë të mësynte nga ana e jugut e perëndimit të qytetit se bashku me një pjesë të Brigadës IV, Brigada X, XXIV dhe Batalioni "Antonio Gramshi" i Brigadës I, kishin për detyrë të bllokonin rrugën Tiranë-Vorë, ndërsa Brigada XXIII do të vepronte gjatë rrugës Vorë-Shkodër.
Kur do të çlirohej përfundimisht kryeqyteti?
Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 dite luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, ku vetëm në qytet humbën jetën shumë luftëtarë, kryeqyteti ishte i lirë. Kjo ishte fitorja më e shkëlqyer mbas të gjitha luftimeve, sakrificave të pallogaritshme që kishte bërë populli ynë gjatë sundim nazi-fashist. Në operacionin për çlirim, brenda në qytet, dhanë jetën shumë partizanë, 94 prej të cilëve nga Brigada I. Gjithsej ranë dëshmorë 127 veta, veç qindra luftëtarëve të tjerë që morën plagë të rënda. Kryeqyteti ynë, Tirana, ishte i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua me forcat tona. Parisi, Varshava, Roma, u çliruan nga ushtritë e aleancës. Në atë kohë unë isha zëvendëskomandant i Batalionit I dhe u emërova si komandant. Më urdhëruan të siguroj hotel “Dajtin” se vinte qeveria nga Berati.
Cili ishte bilanci i kësaj beteje?
Lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë, ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë, përmbi 100 mitralozë, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara, municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si edhe 4 tanke. Veç këtyre shpëtuan pa u prekur centralet e elektrikut, stabilimentet e radios, ura e Farkës dhe e Erzenit si edhe të gjitha ndërtesat e mëdha të Tiranës që ishin që të gjitha të minuara. Në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin. Në luftën për çlirimin e qytetit dhe të popullit të Tiranës, ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Ndër të vrarët ishin dy nënkomandantë batalionesh, dy komisarë kompanie, dy zv. komisarë kompanie, dy komandantë kompanie, dy, zv.komandantë kompanie dhe tre skuadër-komandantë.
Leonard Veizi
Comments
Shiko. qe Tirana u clirua nga

Shiko. qe Tirana u clirua nga forcat e lavdishme partizane, qe luftuan me trimeri te madhe, kete e dine te gjithe shqiptaret komuniste. Megjithate, si ka mundesi qe nga gjermanet (qe mbroheshin) u vrane 2000 njerez, kurse nga partizanet (qe sulmonin) na u vrane vetem 127?!? Apo me partizanet luftonte edhe Ramboja dhe Chuck Norris qe me nje plumb vrisnin 3 gjermane me nje here. A eshte publikuar ndonjehere ndonje liste zyrtare me emrat e ketyre 2000 gjermaneve? Ku u varrosen apo i moren gjermanet qe po iknin me vehte?

O Nardi, nuk eshte e drejte

O Nardi,

nuk eshte e drejte te tallen e pertallen keshtu veteranet, me vjen shume keq se je njeri nga shkrimtaret me te shquar te Shqiperise se rilindur...

Ai xhaxhi veterani shkon dhe i shpeton gjalle tere asaj beteje, por ti, pa dashje, besoj vete "e vrete" ne kete interviste.

Se pari, edhe nese fjalet jane vertete te tijat, nuk eshte mire kur, serish pa dashur, del si fotokopje e faqeve te romanit

"Nentori i Nje Kryeqyteti" te shkrimtarit shqiptar Islamil Kadare. Por, duhet te kuptohemi, jane situata te ndryshme: shkrimtari

s'kishte si e shkruante ndryshe romanin, se ishte nen diktature, dhe e dinte se pergjohej, edhe kur fliste me redaktorin e shtepise

botuese private te Vellezerve "Frasheri", ku iu desh te botonte romanet si novela (se, ti mbase ke qene i ri asokohe, diktatura ndalonte romanet, por jo novelat, sado ironik dhe nentekstaxhi te ishe ne to. Ata te Drejtorise se Censures, vetem romaneve u druheshin, kurse novelave u kalonin shkarazi...

Por ti, qe e boton kete interviste ne vitin 2014, nuk eshte mire qe ta kthesh clirimin e Radios se thjeshte te Tiranes, si Clirim te Radiotelevizionit me te madh ne Bote!

Dhe, nese ne nje novele edhe mund te zbukurohet Lufta, ne gazete eshte ndryshe.

Pastaj jane edhe dite Panairi dhe kush e di si shkon fjala tek de Rada...

Add new comment