DËSHMIA/ Dalan Buxheli, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve: 4 shkurt 1944, si u masakruan 600 antifashistë

Postuar në 03 Shkurt, 2015 00:13

Në histori ka mbetur si “Masakra e 4 shkurtit”, ku mbetën të vrarë 84 persona. Por në të vërtetë ngjarja ka qenë me e ashpër se një hakmarrje ekzekutuese. Rreth 500 antifashistë të tjerë, janë rrëmbyer nga shtëpitë e tyre për t’u dërgua me urgjencë në kampet e shfarosjes së Prishtinës, Aushvicit e Mathuazenit. Të gjitha këto, 71 vite pas kësaj masakre shumë të përfolur në historinë e luftës antifashiste, i rrëfen për “ResPublica”, Dalan Buxheli, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve:

Në çfarë kushtesh ndodhi masakra e 4 shkurtit?

Masakra është një nga ditët më të zeza që u organizuara nga bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit bashkë me Gestapon gjermane. Ishte koha kur në mbarë vendin lëvizja NAÇL kishte marrë përpjesëtime të gjera sidomos pas dështimit të operacionit të dimrit ‘43-’44, ku gjermanët bashkë me bashkëpunëtorët e tyre menduan që të jepnin një goditje vendimtare Lëvizjes Antifashiste. Por dështuan, sepse të gjitha njësitet partizane dhe populli që kërkonte lirinë, ishin ngritur e luftonin me vendosmëri për çlirimin e vendit. Ky s’ishte dhe një nga shkaqet që u organizua kjo masakër, për të frikësuar banorët e Tiranës dhe gjithë ata që mbështesnin forcat e frontin antifashist.

Cilët ishin iniciatorët realë të saj?

Natyrisht përgatitja e kësaj masakre u mendua dhe u planifikua nga Rexhep Mitrovica që ishte dhe kryeministër kuisling i asaj kohe, Xhafer Deva i ardhur nga Kosova me një regjiment SS, të cilët u ndihmuan thellësisht nga bashkëpunëtorë të tjerë të tyre që ishin pjesëtarë të Ballit Kombëtar e Legalitetit. Të gjitha këto forca në bashkëpunim, nën drejtimin e Gestapos, përpiluan në mënyrë të fshehtë lista dhe natën e 4 shkurtit pikërisht me këto lista në dorë u sulën si egërsira në familjet tiranase për të rrëmbyer burrat dhe djemtë e tyre.

Cili do të ishte bilanci i kësaj masakre?

Një pjesë të mirë të tyre i ekzekutuan nëpër rrugët e Tiranës. Natën e 4 shkurtit u rrëmbyen të paktën 500 antifashistë nga të cilët 84 u pushkatuar ndërsa të tjerët u çuan në kampet e shfarosjes. Nga këta asnjë nuk u kthye më në shtëpitë e tyre. Kur u ngritën në mëngjes njerëzit kërkonin të afërmit e tyre dhe panë që rrugës ishin skuqur nga gjaku. Një pjesë u pushkatuan në rrugët e qytetit, ndërsa të tjerët sipas dëshmive okulare mendohet që të jenë groposur nga kodrat e Liqenit, në një vend qe edhe sot nuk është zbuluar. Kjo u bë për të larguar kufomat e tyre.

Si u motivua kjo masakër?

Katër shkurti nisi me një aksident, siç e quajtën kuislingët, pra me arrestimin e dy të rinjve para Hotel Dajtit me akuzën, sikur këta gjoja doni të bënin një atentat kundër kryeministrit Rexhep Mitrovica. Kjo krijoi acarimin e parë. Këta djem u pushkatuan që në datën 3 shkurt. Ndërsa shtypi i kohës, që drejtohej nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti shkruante në mëngjesin e asaj ditë që “Gjaku kërkon gjak”, “Një ditë terror që të sigurojmë paqen në vend”. Pra këto ishin dhe titujt e gazetave të kohës.

Cili do të ishte kundër-reagimi?

Të nesërmen e masakrës, Fronti Nacionalçlirimtar i mirëorganizuar, bëri deklaratën e famshme, që njihet dhe sot, ku i bënte thirrje popullit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që të ngriheshin dhe të bashkoheshin si kurrë më parë për të përballuar këto masakra të Ballit Kombëtar

Rexhep Mitrovica dhe Xhaferr Deva, a ishte i njëjti bosht...?

Natyrisht lidhjet kanë qenë midis tyre, madje të planifikuara mirë, sepse të dy ishin me origjinë nga Kosova dhe nën emër të “Shqipërisë së madhe”,  ku mashtronin popullin shqiptar, kërkonin të shtypnin lëvizjen NAÇL. Ata që kanë folur e kanë thënë se nuk kanë bashkëpunuar me pushtuesit e vendit, janë të gjitha falsitete, sepse duan të fshehin veprimet që u bënë ndaj popullit shqiptar. Masakra si e 4 shkurtit nuk u bënë vetëm në Tiranë, por u bënë në Kuç, në Vranisht, në Berat, në Mirditë e shumë vende, ku janë vrarë me dhjetëra e qindra antifashistë, ku ndërveprues kanë qenë dhe bashkëpunëtorët. Xhafer Deva, ishte një nga krerët e Ballit Kombëtar të Kosovës që kishte ardhur këtu me regjimentin SS “Kosova”, për të shtypur Lëvizjen Nacionalçlirimtare. E megjithatë masakra, e veprime antishqiptare, me forcat e veta Shqipëria arriti çlirimin e saj në 29 nëntor 44 duke dhënë në këtë luftë legjendare mbi 28 mijë dëshmorë. 

 

 

Leonard Veizi

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.