Dëbora bllokon rrugët, Qafë-Thana problematike. Policia bën thirrje për kujdes dhe vëmendje

Postuar në 30 Dhjetor, 2014 13:39

 

Verilindja dhe juglindja e vendit janë zonat më problematike sa i përket qarkullimit të makinave në rrugët e pushtuara nga reshjet e dëborës. Më kritike situata paraqitet sërish në aksin Qafë-Thanë –Pogradec, sërish i bllokuar. Trashësia e dëborës sot ka arritur deri në 40 cm, ndërsa radha e mjeteve të bllokuara ka shkuar deri në 3 kilometra. Punonjësit e drejtorisë së rrugëve me tre fadroma kanë ndërhyrë për zhbllokimin e situatës, teksa ndër të tjera po hedhin skorje dhe kripë në rrugë. Policia e Shtetit bën të ditur se nё Pikёn e Kalimit tё Qafё Thanёs nuk do tё lejohet kalimi i mjeteve tё rёnda drejt Maqedonisё, pasi pёr shkak tё reshjeve tё dёborёs dhe ngricës ёshtё i pamundur kalimi i tyre drejt Strugёs nё Maqedoni.
Ndërkohë Rruga e Kombit vijon të jetë e kalueshme me zinxhirë, ndërsa aksi Kukës -Fushë-Arrëz është i bllokuar gjithashtu dhe aksi Kukës –Peshkopi. Probleme paraqiten edhe në komunat e thella malore të Kukësit e Tropojës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm.  Këto akse rrugore janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa borëpastrueset e drejtorisë së rrugëve janë të gjitha në punë. Aksi rrugor që lidh Peshkopinë me zonat e thella të Dibrës gjithashtu vijojnë të jenë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa në disa komuna mungon prej ditësh energjia elektrike. Akset Rrëshen-Lurë, Rrëshen -Kaçinar në Mirditë vijojnë të jenë të bllokuara nga reshjet e dëborës, ndërsa edhe Malësia e Krujës po përballet me të njëjtin problem.

Nderkaq, dy aksidente janë shënuar brenda pak minutash në Tiranë rreth orës 19:30 e në të dy rastet, shkaktarët e fatkeqësive, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në fshatin Babrru, një makinë pa targa ka përplasur një fëmijë dhe është larguar me shpejtësi, ndërsa tek rrethrrotullimi i Doganës, një makinë me targa angleze ka përplasur një këmbësor dhe po ashtu është larguar.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.