Cili është CNN rus i krijuar nga Putini për të goditur imazhin e Amerikës?

Revista gjermane Spiegel i ka kushtuar një shkrim të gjatë kanalit informativ Rus, “Rusia Sot” (Russia Today) si një armë e fortë e Putinit në atë që Spiegel e quan “lufta e imazhit”.
Presidenti rus Vladimir Putin ka krijuar një anti-CNN për audiencën perëndimore me kanalin satelitor ndërkombëtar “Rusia Sot”. Receta është një propagandës zgjuar, “seks appeal” dhe të holla pa kufizim. Qëllimi: të mposhtë kolegët e saj në mbarë botën.
Një nga aspektet më të forta të kanalit është “nxirja” e imazhit të Amerikës, që nga historia e Snowden, tek burgu famëkeq i Guantanamos, dhe madje nuk le pa shfrytëzuar as faktin që diktatori gabonez Ali Bongo Ondimba, ka mbështetjen e Amerikës.
Duket se shumë vetë në Perëndim janë gjithashtu të interesuar të shohin mbulimin mediatik kritik të forcës më të lartë botërore.
“Rusia Sot” tashmë është më i suksesshëm se të gjitha stacionet e tjera televizive të huaja që transmetojnë në qytetet e mëdha amerikane, si San Francisko, Çikago dhe Nju Jork. Në Uashington, 13 herë më shumë njerëz shikojnë programin rus, se ato të Deutsche Welle-s, transmetuesit publik ndërkombëtar të Gjermanisë. Dy milionë britanikë shikojnë kanalin e Kremlinit rregullisht. Në internet kanali është edhe më i suksesshëm se të gjithë konkurrentët e vet. Vetëm në qershor, “Russia Today” theu një rekord në YouTube duke qenë stacioni i parë televiziv që mori një miliard klikime për videot e veta.
Margarita Simonyan është krijuesja e këtij “djalli propagande”, e vendosur nga Putin në krye që kur ishte 25 vjeçe, më 2005. Qëllimi? Që Rusia të mos humbiste kurrë luftën e imazhit, si më 2008, kur CNN amerikan dhe mediat e tjera të perëndimit nxorën në pah një Rusi agresore e kriminele, ndërsa tanket e saj përparonin në Gjeorgji.
Për fatin e keq të publikut, ky kanal përzjen teori konspirative me propagandë të pastër, thotë Spiegel. Në rastin e bombave në Boston, ata nuk ngurruan të propagandonin që sulmi i terroristëve çeçenë kishte lidhje me vetë qeverinë amerikane.
k.c.
Add new comment