Celentano shfaqet në një koncert live, në L’Arena di Verona; dhe suksesi është i plotë

Postuar në 08 Tetor, 2012 17:06

Kish kohë që ish lajmëruar “Celentano live”. Mungonte prej gati dy dekadash nëpër stadiume, dhe më në fund shfaqet në L’Arena di Verona, nën kamerat e televizionit Cannale 5, me një një show të natyrës televizive mes mijra spektatorëve. Titulli: Rock Economy. Para se të fillojë, ish një anteprima, ku ai vetë foli pak për luftën e për betonizimin e mjedisit, e më tej, një skript i përgatitur qysh më parë u lexua nga një aktor e nga një speaker-e TV. Ishin pjesë të librave të ekonomistëve Jeremy Rifkin dhe Serge Latouche, ku flitej për pabarazitë sociale, për politikat financiare, për ujin e pijshëm, për oqeanet e ajrin që po ndoten, për konsumizmin e shfrenuar, etj. U krijua përshtypje se po rrezikonte me këtë qasje akademike në Arenën e Veronës të mbushur dingaz me njerëz, që prisnin Celentanon të këndonte. Por nuk u zgjat shumë. Më pas, për një orë të tërë, ai zuri të këndonte këngë të vjetra e të reja të vetat, dhe spektatorët dëgjoheshin tek skandonin emrin e tij, e tek këndonin tok me të.

Në momentin që zuri të bënte një denoncim nëpërmjet një monologu, spektatorët e ndërprenë. Donin që ai të këndonte. Por ai donte të fliste. U krijua një suspense. Celentano erdhi vërdallë nëpër skenë, e dukej se po kërkonte të fitonte kohë për t’u menduar lidhur me vendimin që do duhej të merrte. Të vijonte me monologun ishte e rrezikshme, pasi njerëzit po kërkonin këngë. T’u bindej nuk ia kish ënda; ai e do demokracinë, por jo deri në atë pikë sa adhuruesit e tij t’i diktojnë skaletën e një koncerti live. Dhe kështu u krijua një pauzë disa minutëshe. Celentano iku fare nga skena. Kur u kthye, ish me pamje të ngrysur e me qejfmbetje. Por kish kitarën në dorë. U dëgjuan akordet e këngës “Il ragazzo della via Gluck’. Arena e Veronës u kap nga deliri, e kështu vijoi derisa në skenë u ngjitën ekonomisti francez Paul Fitoussi Crisi, dhe gazetarët italianë Gian Antonio Stella e Sergio Rizzo. Për 15 minuta, arena u shndërrua në një sallë leksioni. Spektatorët s’e pritën mirë, por Celentano nuk lëshoi pe në këtë pikë derisa u dëgjuan të trokitura në një portë të madhe. Ish Gianni Morandi. Dhe të dy kënduan për minuta të tëra.

Nesër është nata e dytë.

E.G.

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Imadhi Çelentano por ske çibën njërzit janë kthyer në një robot duan vetëm të hanë dhe të dëfrejnë pa e vrarë mëndjen se ku po vemi</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.