Buxheti dhe paketa fiskale/Standarde të dyfishta për akcizat. Dhe një moment pasinqeriteti për TVSH për turizmin

Postuar në 26 Nëntor, 2014 05:57

Diskutimi për buxhetin e vitit 2015 dhe paketën fiskale, ka qenë i shoqëruar në raportimin mediatik edhe me disa detaje që dëshmojnë për një “luftë të brendshme”, apo lobime të mundshme, që lidhen me vendosjen e taksave apo akcizave. Një ndër më të lakuarat është akciza e pijeve energjike, për të cilën në fillim qeveria në draftin e saj, kishte propozuar heqjen e saj, por që në finale është ulur në masën 30 lekë/litër nga 50 lekë/litër që ka qenë. Në diskutimin e djeshëm për këtë çështje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ka patur një negociatë, me gjysëm zëri, nëse mund të themi kështu, nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, që kjo akcizë të ulet diçka më shumë. Pasi kryetari i Komisionit Erjon Braçe shprehu mendimin se akciza duhet të jetë 30 lekë/litër, ministri Cani, ka ndërhyrë për të kërkuar një ulje tjetër. “Të paktën të jetë 25 lekë”, ka thënë ai. Nuk dihet se për cilën arsye ministri investohet personalisht për këtë çështje, ndërkohë që për momente të tjera, shumë më domethënëse, apo edhe të ngjashme, nuk ka shprehur këtë shqetësim.

TVSH për turizmin, ministria thotë që e ka kërkuar FMN. FMN thotë që është e drejtë e qeverisë

Një tjetër moment debati ka qenë edhe ajo për TVSH e turizmit. Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica kërkoi që të ndiqet e njëjta praktikë, pra ajo e standardeve të BE-së edhe për këtë taksë, sikurse për akcizën e pijeve energjike. Kjo ngase, argumenti me të cilin qeveria erdhi në komision me një akcizë të ulur për pijet energjike, ishte se Shqipëria duhet të standarizojë nivelin e akcizës në fjalë me vendet e BE-së. Të njëjtin standard ka kërkuar Rehovica edhe për TVSH për turizmin, gjë që është kaluar nga kreu i komisionit Erjon Braçe. Dhe në diskutimin për TVSH-në e turizmit verifikohet një tjetër moment pasinqeriteti nga Ministria e Financave. Përfaqësues të kësaj të fundit kanë zhvilluar takime me dy shoqatat që përfaqësojnë operatorët turistikë shqiptarë, në të cilat kanë deklaruar se mbajtja e TVSH në këtë nivelin aktual është kërkesë e FMN-së. Mirëpo sipas asaj që ka mësuar “ResPublica”, përfaqësues të FMN-së, në takimet me shoqatat e turizmit, janë shprehur se çështja e TVSH-së është e drejtë e qeverisë dhe se fondi bie dakord me qeverinë me çdo vendim të saj. Kjo është e vërtetë, pasi vetë ministri i Financave, do të deklaronte para disa ditësh, se buxheti dhe paketa fiskale, kanë vulën e qeverisë shqiptare, kurse FMN-ja vetëm këshillon. Pyetja është se përse atëherë ndiqen dy standarde? Merr kuptim kjo pyetje sidomos nisur nga fakti se pijet energjike nuk janë ndonjë prioritet, sikurse është akciza e duhanit, që flet për merakun që ka zënë qeverinë për shëndetin e njerëzve.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.