Bushati me përfaqësuesit e minoriteteve flet për mbështetjen e veprimtarisë në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor

Ministri Bushati zhvilloi të premten në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një takim me përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve dhe me përfaqësues të shoqatave të minoriteteve të Shqipërisë. Ky takim, i cili kishte si qëllim forcimin e dialogut me shoqatat e pakicave, u zhvillua në kuadër të informimit dhe transparencës për rekomandimet e Këshillit të Evropës, mbi gjendjen e pakicave në Shqipëri. Gjatë takimit, Ministri Bushati nënvizoi vullnetin e qeverisë shqiptare për rritjen e bashkëpunimit me përfaqësuesit e pakicave, përfshirjen e tyre në procesin e konsultimit për trajtimin e çështjeve dhe problematikave të tyre, si dhe për nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së tyre në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të identitetit gjuhësor dhe kulturor të pakicave. Në takim u shpërnda Opinioni i Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër “Për mbrojtjen e pakicave” dhe rezoluta e KiE-së, përkthyer në gjuhët e pakicave.
L.V
Add new comment