Bushati i kërkon vëmendjen e OSBE-së në përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në vendet ku ata jetojnë

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë punimeve te Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë në takimin: “Adresimi i krizës së sigurisë evropiane: Rruga përpara dhe roli i OSBE-së”, që u organizua nga Presidenti, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Konfederatës Zvicerane, Didier Burkhalter, në cilësinë e Kryetarit të radhës së OSBE-së. Takimi kishte në fokus trajtimin e sfidave me të cilat përballet OSBE-ja në strukturën e sigurisë evropiane, të ndikuara nga kriza në Ukraine, dhe përmirësimi i kapaciteteve të organizatës për përmbushjen e rolit të saj. Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi rolin e spikatur të OSBE-së në përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe stabilitet në Ukrainë, duke sjellë në vëmendje kontributin e Shqipërisë. Bushati zhvilloi gjithashtu një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier. Pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në Organizatë dhe gatishmëria për të ndihmuar më tej edhe në reformën e OSBE-së, duke dëshmuar për aftësitë e saj, ishin pjesë e bisedimeve. Gjatë takimit, Bushati trajtoi gjendjen e bashkëkombësve tanë në vendet e rajonit, duke kërkuar vëmendjen e OSBE-së në përmirësimin e të drejtave të tyre në vendet ku ata jetojnë, si dhe kërkoi një afrim me të madh të Kosovës me organizatën. Nga ana e tij, Zannieri, shprehu interesin për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në luftën ndaj terrorizmit.
L.V
Add new comment