Brokaj i kërkon Ramës të shtyjë vizitën në Beograd: "Politikanët serbë mbështetën tifozët e tyre që kërkonin të vriteshin shqiptarët"

Postuar në 18 Tetor, 2014 04:03

Sabit Brokaj, anëtari i Grupit të të Urtëve pranë kryetarit të Partisë Socialiste, është i mendimit se vizita e Edi Ramës në Beograd duhet të shtyhet. Në një intervistë për “Panorama” dhënë gazetarit Aristir Lumezi, Brokaj propozon një tryezë konsultimi me politikanë dhe diplomatë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova, Maqedonia e më gjerë, si një çështje që i përket kombit shqiptar. Lidhur me ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë degradoi në dhunë nga ana e serbëve, Brokaj jep këtë koment: “Në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare sedra nacionale ngacmohet, e sidomos mes vendeve që kanë një histori të trazuar mes tyre e ku qëndron dhe deliri i vjetër i tyre. Në këtë rast, Serbia mjerisht është shembulli më domethënës në këtë aspekt, ndaj dhe ndeshjen në Beograd e shihja me një lloj shqetësimi, por jo të përmasës që ndodhi. Unë nuk do ta trajtoj ngjarjen në stadium për ta quajtur faktorin kryesor të të gjithë ngjarjes. Mua dhe politikën shqiptare besoj duhet të na shqetësojnë deklaratat e politikanëve serbë, të cilët ishin një me qëndrimet e tifozërisë së tyre, si tifozët që kërkonin të vriteshin shqiptarët, ashtu dhe Presidenti, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Natyrisht, ata nuk artikuluan thirrjet e tifozëve për vrasje, por në kuptimin politik artikuluan më keq se aq. Pra dua ta veçoj këtë, pasi thonë se ai droni që fluturoi mbi stadium me simbolet kombëtare ka qenë faktori i incidenteve. Kudo ka sharje në ndeshje futbolli, por jo kor të atij niveli, nuk ka. Unë nuk mund të kuptoj si mund të quash një politikan të mundshëm që të bisedosh me të kur ai qëndronte në stadium dhe një kor histerik thërriste: “Copëtoni shqiptarë!”. Minimumi i tij do të ishte që të mos ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. Kjo nuk është sportive. Për mua skandali filloi që me pritjen që i bënë Kombëtares shqiptare, me polici të përforcuar, me forca speciale, me armë dhe me maska, thua se këta lojtarë po i shoqëroje për t’i futur në një betejë për jetë a vdekje. Politika serbe përgatiti një atmosferë tensioni dhe tmerri psikologjik që pa nisur mirë ndeshja. Për mua UEFA duhet të nisë gjykimin e saj që në momentin që nuk u lanë tifozët shqiptarë të merrnin pjesë në stadium, që në momentin që nuk u lejuan flamujt respektivë dhe që në momentin kur futbollistët tanë i vunë nën një trysni psikologjike. Futbolli dihet që së pari është psikologji dhe moral, pastaj janë këmbët e lojtarëve. Kështu që në fillim atyre iu hoq faktori bazë, morali dhe psikologjia. Është merita e lojtarëve tanë që edhe pse ishin rrethuar nga gjithë ky presion, ata hynë në fushë, qëndruan fort dhe natyrisht mbrojtën ato simbole që i kanë fanellat e tyre…”

 

L.V

Comments

Submitted by LEO (not verified) on

<p>Rana te shkoj ne Beograd por dergoja Rames idet e tua se eksperienca ne politik nuk perfitohet brenda nje nate.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.