Bregu: Mazhoranca të votojë këtë sesion parlamentar ligjin e lustracionit

Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, ka bërë thirrje për mazhorancën që të votojë ligjin për lustracionin. Bregu e ka bërë këtë thirrje në faqen e saj në “Facebook”, në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit.
“Sot është dita evropiane kur nderohen viktimat e komunizmit. Në Shqipëri pati: 6109 të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit, mes tyre 89 gra. 17900 të dënuar politikë, mes tyre 450 gra. 9052 të vdekur në burgje, 30383 të internuar, 23 burgje në të gjithë vendin, 48 kampe internimi. Rreth 70 mijë persona ndiqeshin çdo vit nga Sigurimi i Shtetit….”.
Sipas Bregut dekomunistizimi i shoqërisë mbetet amanet i pa përmbushur. “Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare edhe sot mbetet një amanet i pa përmbushur. Sa herë kemi çuar ligjin e lustracionit në parlament, nuk është votuar. Meqë mazhoranca sot nuk ka asnjë problem me numrat për të votuar “reforma të ndritshme”, le të fillojë këtë sesion parlamentar si Aleanca e Shqipërisë Evropiane, duke votuar ligjin e lustracionit si shenjë që çdo regjim që dhunon qytetarët, nuk ka të drejtë të ekzistojë. Drafti është gati. 29 Nëntorin e kanë para…,” ka shkruar Bregu. S.S
Add new comment