Bozdo konfirmon shitjen e ARMO-s tek azerët, por ende ka pyetje pa përgjigje

Në një intervistë për Top Channel, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, konfirmon kalimin e ARMO-s në duart e kompanisë azere “Heaney Assets Coorporation”, si dhe ka deklaruar se ajo do të trashëgojë të gjitha detyrimet e prapambetura nga ‘Anika Enterprises’, përfshirë borxhet ndaj palëve të treta dhe ruajtjen e punonjësve. “I kemi bërë verifikimin teknik dhe financiar dhe gjithashtu kemi deklaratën noteriale të kompanisë që merr përsipër të njohë kontratën, si e vetmja marrëdhënie juridike mes saj dhe autoritetit kontraktues, si dhe të njohë deri në një detyrimet e prapambetura të kompanisë, të krijuara gjatë kësaj kohe, që po krijohen apo do krijohen. Mbi të gjitha ruajtjen e punonjësve, pagesat e prapambetura, sigurimet shoqërore, pagat e tyre, çdo borxh ndaj palëve të treta. Absolutisht gjithçka”, ka thënë Bozdo.
Mirëpo, deputeti socialist, Erjon Braçe, thotë se: “Në fakt në kontratën që kam përpara, kompania është e regjistruar në Ishujt Britanikë Virgjin! Zëvendësministri nuk mundi të japë ndonjë të dhënë për portofolin apo kapacitetet përpunuese të kësaj kompanie. Madje ai nuk ishte në gjendje të jepte një shifër totale të borxheve të ARMO-s, e tepërt t’i kërkoj në mënyrë analitike borxhet për çdo huadhënie të ARMO-s. Shkurt e qartë, qeveria nuk di asnjë detaj.” Ndërkaq, 1500 punonjësit e kompanisë ARMO kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë paratë që u janë mohuar gjatë kohës që kompania kaloi në duart e Rezart Taçit.
Re.Pu
Add new comment