Borxhi...beninj

Për kryeministrin demokrat, Sali Berisha nuk është problematik kapërcimi i nivelit të borxhit në kufirin e 62.6 për qindëshit. Të paktën kështu është deklaruar ai dje në një konferencë për shtyp që kishte me shefin e BERZH, Suma Shakrabarti (foto). Sipas tij edhe pse niveli i borxhit publik në vend po kapërcen nivelin 62.6% të parashikuar në momentin e heqjes së limitit ligjor prej 60 për qind, qeveria do t’i përmbahet këtij niveli, pa kaluar në atë që mund të cilësohet si “limit rreziku”.
“Aktualisht borxhi nuk përbën rrezik për stabilitetin makroekonomik të vendit, pasi ekziston fuqia paguese dhe mënyra sesi ai është strukturuar, garanton “qetësinë” e nevojshme për qeverinë shqiptare”, kjo ishte deklarata e shefit të qeverisë, por pa dhënë ndonjë shifër konkrete lidhur me limitin maksimal të huamarrjes që qeveria ka parashikuar për këtë vit, edhe pse pak ditë më parë ai përmendi shifrën 67 për qind, si nivel të shëndetshëm të borxhit.
“Qeveria do t`i qëndrojë nivelit të përcaktuar të borxhit. Nuk besoj se niveli 60 përqind është vija e kuqe. Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben një sistemi për zhvillim dhe për ndërtim por ai kthehet në një lak në fyt që në momentin që shfaqen problemet në shërbimin e tij dhe unë theksoj se nuk ka vështirësi në shërbimin ndaj borxhit. Unë mendoj se borxhi i Shqipërisë është beninj së pari sepse është i përkushtuar investimeve në infrastrukturë dhe 2/3 e tij është në monedhën lokale, në lek dhe 1/3 e tij është në euro dhe dollarë. Realisht ky është një borxh që kontrollohet pa ndonjë vështirësi të madhe” theksoi kryeministri.
Ndërkohë, presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Shakrabarti tha se niveli i borxhit publik në Shqipëri, përcaktohet nga vetë qeveria. Megjithatë, sipas tij, qeveria shqiptare ka përballuar krizën ekonomike që ka përfshirë Eurozonën, duke i paraprirë me masat përkatëse. E.Shehu
Comments
Mos, jane deklarata per t'u
Mos, jane deklarata per t'u marre seriozisht, jo shaka. Nga te dy palet...
Add new comment