Borxhi publik, ecuria në vite dhe barra e interesave për t’u paguar

Postuar në 05 Gusht, 2012 09:37

Borxhi Publik është rritur në mënyrë progresive nga viti në vit. Rritja më e madhe vërehet gjatë viteve 2007-2008, kur punimet për ndërtimin e rrugës Rrëshën-Kalimash ishin në kulmin e tyre. I njëjti trend vijoi edhe gjatë vitit 2009, në të cilin u zhvilluan zgjedhjet, periudhë që u parapri sërish nga shpenzime të mëdha në infrastrukturë. Qeveria është angazhuar të mbajë nën kontroll treguesit e borxhit gjatë dy viteve të fundit, por tani është periudha kur ka filluar apo duhet të fillojë të shlyejë huat e marra vite më parë duke bërë që të rritet ndjeshëm kostoja e shërbimit të tij.

2007, 369.5 miliardë lekë, 37.7 % e PBB-së

2008, 595.7 mld lekë, 54.6 % e PBB-së

2009, 682.5 mld lekë, 59.3 % e PBB-së

2010, 715.3 mld lekë, 57.8 % e PBB-së

2011, 772.5 mld lekë, 58.7 % e PBB-së

2012, 801.1 mld lekë, 58.8 % e PBB-së

Pesha e rendë e kostos së shërbimit të borxhit, e bën qeverinë që të heqë dorë nga ofrimi i disa shërbimeve apo kryerja e disa investimeve më shumë duke përmirësuar jetën e qytetarëve. Kjo për faktin se çdo vit, ekzekutivi miraton edhe një shumë të caktuar parash, e cila do të përdoret për shlyerjen e interesave gjatë periudhës dymbëdhjetëmujore ndaj atyre që iu ka marrë hua. Zëri quhet “shpenzime për interesa”. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se shuma që do të paguajë buxheti i shtetit vetëm për të shlyer interesat, është më e madhja gjatë këtyre katër viteve të fundit. Qeveria ka parashikuar që deri në fund të këtij viti, t’i paguajë bankave apo individëve që mbajnë borxhin e shtetit shqiptar një shumë prej 49.6 miliardë lekësh ose rreth 470 milionë dollarë vetëm për të shlyer interesat që shkakton stoku i borxhit. Sipas shifrave zyrtare të qeverisë, përllogaritet që shërbimi i kostos së borxhit, t’i kushtojë çdo shqiptari nga 17 526 lekë, ndërsa një familjeje i kushton mesatarisht 66 600 lekë. 

Shuma që paguan këtë vit Shqipëria për të shlyer interesat është rreth 1.6 herë më e madhe se sa fondi që shpenzohet për pensionet e më shumë se 550 pensionistëve në të gjithë vendin apo rreth sa 80 për qind e fondit vjetor të pagave për ata që janë të punësuar në sektorin publik. Fondi që shpenzohet për të shlyer interesat e borxhit gjithashtu është rreth dy herë më i madh se sa shuma totale që ka parashikuar qeveria shqiptare për të shpenzuar këtë vit në rregullimin e rrjetit të rrugëve nacionale.

 

Marrë nga Shekulli, Emirjon Senja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.