Borxhet ndaj biznesit? Firmat kanë kryer punime... më të avancuara se sa planifikimi - thotë përfaqësuesi i qeverisë

Diskutimi i buxhetit të vitit 2013 nëpër komisionet parlamentare, po hedh dritë ditë pas dite në zërat e tij. Dëshmi e qartë është se vec rritjes së borxhit nuk do të ketë investime të reja. Qeveria shpreson vec të mbyllë investimet e nisura, kjo për shkak se tashmë hyjmë në vitin elektoral.
Fakti që nuk do të ketë investime të reja u pohua dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti (në foto) në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, i thirrur për të diskutuar mbi nivelin e shpenzimeve parashikuar në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2013. Opozita kërkoi shpjegime nga përfaqësues të ministrisë së Financave për destinacionin e shpenzimeve, si dhe fondet që do të jepen si garanci për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Teliti, tha se projektbuxheti i shtetit për vitin 2013 nuk parashikon nisjen e investimeve madhore të reja, por mbylljen e projekteve që tashmë kanë nisur.
"Prioritet në p/buxhetin për vitin 2013 do të jetë financimi i projekteve në zhvillim. Nuk do të financohen projekte të reja të mëdha përveç atyre me kredi zhvillimore. Do të financohen me fondet e buxhetit të shtetit rrugët e komunave dhe ujësjellësat", u shpreh ai para ligjvënësve kuvendorë. Ai solli dhe një herë në vëmendje një nga cështjet e debatuara që ka të bëjë me faturat e papaguara që biznesi pretendon se ka nga qeveria për punë publike të kryera. Teliti tha se nuk mund të japim një shifër të saktë për faturat e papaguara. Sipas tij, firmat kanë kryer punime... më të avancuara se sa planifikimi. E.SH.
Add new comment