Bode bën përgjegjëse qeverinë për rënien e ekonomisë

PD bën përgjegjëse qeverinë për rënien e ekonomisë gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti. Një ditë pas shifrave të Institutit të Statistikave, i cili raportoi për rënie me 0.61 % të rritjes ekonomike për tremujorin e dytë të vitit 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ish ministri i Financave, deputet i PD-së, Ridvan Bode, deklaroi se të dhënat për treguesit ekonomik të 3-mujorit të dytë të këtij viti nuk kanë qënë të papritura dhe as të panjohura për qytetarët shqiptarë. Sipas Bodes, “sipas rezultateve të raportuara, rënia e Prodhimit të Brendshëm Bruto me -0.61 pikë përqindje, nga 2 pikë përqindje që ka programuar qeveria, përbën paralajmërimin fatkeq për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë së vendit. Kjo para së gjithash për faktin se degët kryesore të ekonomisë, ato që krijojnë punësimin dhe garantojnë qëndrueshmëri, kanë pësuar rënien më të madhe. Industria gjatë tremujorit të dytë të këtij viti shënoi një rënie prej 1,29 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013. Dhe për më tepër, brenda këtij grupi, rritja në industritë e nxjerrjes së mineraleve me 7.56%, nuk mundi të mbulojë rënien e thellë në industritë përpunuese me -6.62% apo të energjitikës me -29.20%.” Ndër shkaqet e renditura nga z. Bode, që sipas tij, çuan në rënie të ekonomisë, ishin bllokimi dhe ulja e kreditimit nga bankat, ulja e investimeve me gati dy herë, apo vendosja e taksës progresive.
L.V
Add new comment