Bie skenari për zgjedhje të parakohshme në Greqi. Qeveria u kthen ushtarakëve 50% të pagave të shkurtuara

Postuar në 11 Tetor, 2014 03:02

Qeveria e kryeministrit grek Antonis Samaras u votëbesua të premten pas mesnate në parlament pas një përplasje të fortë politike me opozitën e majtë të drejtuar nga Aleksis Cipras, e cila humbi një tjetër betejë në përpjekje për të kaluar vendin në zgjedhje të parakohshme. Votëbesimi u iniciua nga opozita pas publikimit të disa sondazheve që i jepnin asaj një avantazh të lehtë përballë konservatorëve të Demokracisë së Re.

Pro qeverisë votuan 155 deputetë të PASOK dhe Demokracisë së Re, ndërsa 131 deputetë të opozitës dhe të pavarur votuan kundër.

Pas votëbesimit në parlament kryeministri Samaras tha se qeveria e tij nuk do të zhgënjejë shpresat e grekëve dhe se do ta çojë deri në fund mandatin e nisur, duke lënë të nënkuptohet se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në vitin 2016.

Në fjalën e tij në parlament Samaras tha se vendi ka tejkaluar situatën e vështirë ekonomike duke lajmëruar rikthimin e 50 për qind të pagave  të shkurtuara për ushtarakët. Ai akuzoi opozitën se po mbetet në llogoret e propagandës ndërsa e quajti kreun e Syrizas një politikan populist dhe të padobishëm për interest e vendit.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.