Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin/Skënder Bruçaj: Kjo ditë synon bashkimin. Elvis Naçi: Shpresojmë pas dy vitesh të kemi xhaminë e re

Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin. Kremtimi i kësaj feste filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të falur Namazin. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.
Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj duke uruar të gjithë besimtarët mysliman, theksoi se kjo ditë synon bashkimin. “Kjo e sotmja është dita e mirënjohjes ndaj begative të panumërta që allahu i madhërishëm i dërgon njerëzve të tij. Le ti gëzohemi sëbashku kësaj dite të begatë. Le ti shohim të gjithë njerëzit me syrin e madhërisë, ashtu siç na sheh i madhi zot. Kjo ditë synon bashkimin e zemrave. Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit, paqe e begati.” - tha Bruçaj.
Drejtori i thirrjes në KMSH, Elvis Naçi në një mesazh urimi për besimtarët myslimanë theksoi se kjo festë; ti shërbejë fëmijëve, të rinjve si sensibilizim për veprime të mira dhe mësime të vlefshme. Në lidhje me ndërtimin e xhamisë së madhe Naçi u shpreh se do të nisin shpronësimet e pronarëve për xhaminë e madhe dhe me fondin e dhënë shpresohet që ata të jenë të kënaqur. “Shpresojmë që pas dy vitesh të kemi xhaminë e re” - tha Naçi.
Ndërkohë edhe kreu i shtetit Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Nishani kujton që kjo festë e sakrificës njerëzore vjen pas vizitës historike të Atit të, andaj fton shqiptarët të ruajnë një ndër vlerat më të çmuara të kombit tonë, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare.
Gjithashtu edhe kryeministri Rama ka uruar besimtarët për festën, përmes një kartoline të shpërndarë në Facebook.
L.V
Add new comment