Berisha e ka me merak këtë punën e celularëve të PS-së. "Ke 8 muaj që nuk shkon te lokali i Shefikatit, - i thotë Ruçit

Berisha: Teza e Ruçit opozita, pa celularë, si në kohërat e erës, zoti t’ju mbrojë
Ruçi: Strategjia jonë funksionoi. Nuk e përgjove dot strategjinë dhe vendimmarrjen e forcës kundërshtare
Berisha: Gojët e liga më thonë që ke 8 muaj që nuk shkon edhe tek lokali i Shefikatit.
Ruçi: Je keqinformuar o ditëzi.
Sa më sipër, është shkëputur nga një shkëmbim replikash sot në seancën e Kuvendit mes kryeministrit Berisha dhe kreut te grupit kuvendor të PS-së Ruçi. Me sa duket, Berisha e ka me merak këtë punën e celularëve në Asamblenë e PS-së, temë kjo, e prekur në kor nga mediat afër qeverisë në botimet e sotme.
Replikat kanë vijuar mes Ruçit dhe Topallit:
Ruçi: Sot e kësaj dite qytetarët e kanë parë vetëm njëherë mbledhjen e kryesisë së PD, ka vetëm kryetar dhe asnjë nënkryetar, kurse PS është ndryshe.
Topalli: Ti s'e meriton fare të jesh nënkryetar.
Ruçi: Ty të ka djegur shumë. Nuk i dihet ku do jesh.
Topalli: Këtu jam dhe këtu do jem. Juve kryetari herën e parë ju hoqi valët, herën tjetër do ju heqë dritat.
Faqet online informojnë replika të ngjashme në seancën e sotme edhe përsa i përket privatizimit të HEC-it të Lana-Bregasit. Ruçi-Berishës: “Kur flet me nxënësit e shkollës trego përralla me mbret, por kur bëhet fjalë për privatizim mos trego përralla. E vërteta është se qytetarët e Tiranës do paguajnë koston e ujit plus do paguajnë për kredinë tënde. Mos na hidh hi syve". - A.N.
Add new comment