Bejko u dogj pasi dëgjoi Nishanin... Berisha flet për "sigurim të grevës". Klan e ABC 'zbulojnë' se 4 grevistë.. kanë aplikuar jashtë afateve(!)

Grevistët e mbetur të urisë akuzuan Presidentin Bujar Nishani, si shkaktar të vetëflijimit të shokut të tyre, Lirak Bejko, i cili i vuri flakën vetes paraditen e sotme. Grevistët u thanë mediave se, “deklarimi i papërgjegjshëm i presidentit të Republikës e rëndoi gjendjen psikologjike. Ne e denoncojmë atë publikisht si vrasës të shokut tonë Lirak Bejko”. Nishani dha dje një intervistë ku krahasoi kërkesat financiare të grevistëve si të mospërputhshme me "parimet e larta" sipas tij që udhëhoqën të përndjekurit nën diktaturë.
Por të njëjtën linjë "krahasuese" ka ndjekur kryeministri Sali Berisha sot pas aktit të Lirak Bejkos. Sipas Berishës vetëflijimi i Bekos nuk ka lidhje me rastin e Ndrecës (!) pasi, nënvizoi Berisha, “ai që e dogji ishte një kriminel dhe duhet të hetohet”. Më pas Berisha ka thënë një fjali, kuptimi i së cilës do shfaqet në orët në vijim: "Sigurimi i grevës dhe i kushteve të saj, nuk ka qenë në lartësinë e duhur, prandaj duhet të sigurohet më mirë”
Pak përpara Berishës, televizioni ABC News transmetoi një prononcim të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, G.Xhanari. Duke folur për "këste" dhe "afate" sekretari në fjalë tha: "16 të përndjekurit që janë në grevë e kanë marrë këstin e parë çka do të thotë se i kanë përfunduar procedurat në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa 4 të përndjekurit e tjerë në grevë kanë aplikuar jashtë afateve"...
Në një përmbledhje të kërkesave të grevistëve pas aktit të Lirak Bejkos, faqja online e "Zërit të Amerikës" shkruan: "Grevistët kërkojnë të zbatohet neni 44 i Kushtetutës dhe neni 57 i Kodit Penal për masën e kompensimit. Ata thonë se formula matematikore e dëmshpërblimit është e paprecedent, dhe se ligji nuk u njeh ditët e hetuesisë si një ditë e gjysmë burgim. Grevistët kërkojnë gjithashtu që letrat me vlerë shpërndarë vite më parë t’u merren nga shteti dhe t’u kthehen në para, shtëpitë e tyre të vlerësohen si gjithë banorët e tjerë dhe që pensionet e tyre të rishikohen, duke u bërë të krahasueshme me invalidët e Luftës së Dytë Botërore". - A.N.
Foto LSA: Forca të policisë kanë rrethuar vendin ku u dogj sot Lirak Bejko pranë cadrës së grevistëve të urisë
Akuza për Nishanin: http://www.gazetatema.net/web/2012/10/10/grevistet-bujar-nis...
Berisha: http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/veteflijimi-i-bekos-b...
Sekretari në TV Klan e ABC News: http://www.tvklan.al/lajmi.php?id=26717
Raporti i "Zërit të Amerikës": http://www.zeriamerikes.com/content/lirak-bejko-greva-urise/...
Add new comment