BE, thirrje opozitës të ndërpresë bojkotin. Meta: Vendimi varet nga Doktori, jo nga Basha

Postuar në 15 Dhjetor, 2014 15:22

Opozita të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend. Thirrja vjen nga Bashkimi Europian përmes Komisionerit përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Johannes Hahn (foto).  Gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel, Hahn ka deklaruar se është e rëndësishme që debati politik në Shqipëri të bëhet në Kuvend. Ai ka përshëndetur emërimin e dy ndërmjetësuesve të Parlamentit Europian për një marrëveshje midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri lidhur me kthimin e opozitës në Kuvend. “Ne kemi thënë vazhdimisht, se debati politik duhet të zhvillohet në Parlament jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera ku opozita ka bojkotuar Parlamentin. Ne jemi në favor të arritjes të këtij qëllimi,  kemi nxitur palët dhe kemi bërë ç’është e mundur që opozita të rikthehet në Parlament. Ky është një hap i parë i rëndësishëm”, u shpreh ai për ABC News.

Nga ana e tij, i pyetur nga A1 Report, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pohuar se ndërprerja e bojkotit prej opozitës dhe rikthimi i saj në Kuvend varen prej vendimit që do të marrë Sali Berisha. Ndonëse kryetar ‘de jure’ është Lulzim Basha, për kreun e Kuvendit vendimi i takon “Doktorit”, duke lënë të nënkuptohet se edhe qëndrimet e PD-së nuk merren nga Basha. “Mos prisni nga mua përgjigje që varen nga Doktori… Ne jemi vend demokratik ku çdo forcë politike ka të drejtë të marrë vendimet e saj sovrane dhe të paraqitet në zgjedhje, apo edhe të mungojë në to, që natyrisht nuk është një veprim vërtet demokratik, pasi lë përkrahësin e saj të papërfaqësuar. Tashmë 21 qershori u vendos dhe të gjithë do të përgatitën për zgjedhjet e reja vendore”, theksoi Meta.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.