Baze flet për grupimet “Basha” e “Topalli” në PD (fut në analizë Ilir Metën e Gramoz Ruçin)

Në një intervistë në të përditshmen DITA Mero Baze merr në analizë klanet “Basha” e “Topalli” në PD dhe ndër të tjera thotë se kanë lindur nga raporti i ndryshëm që ata kanë pasur me historinë e Partisë Demokratike. Është beteja mes atyre që sollën PD-në në pushtet dhe ata që u thirrën për të marrë pushtetin (në 2005).
Thotë Baze:
“Lulëzim Basha është qartazi përfaqësuesi i Argitës dhe Familjes Berisha në pushtet. Ai ishte një përkthyes i rëndomtë në Kosovë dhe u soll në Tiranë bashkë me të tjerë nga Argita. Është një listë prej gati dhjetë vetësh që u kthyen nga përkthyes të rëndomtë në UNMIK, në udhëheqës të Shqipërisë vetëm se ishin sjellë mirë me Argitën në Kosovë. Kaq banale është kjo histori. Në krye të kësaj liste është Lulëzim Basha . Të tjerët janë të preferuarit e saj, Albana Vokshi, Florian Mima, Petraq Milo, Edit Harxhi, Mal Berisha, etj. Këta plus disa rekomandime të tjera në KOP nga Tirana (që kaluan sërisht në filtrin e familjes) përbëjnë atë që quhet grupi i Bashës. Tashmë këtij grupi i është bashkangjitur çdokush që nuk ka qenë me PD para vitit 2005 dhe që ndjehet i huaj në bazën e asaj partie. Aq e vërtet është kjo sa ky grup është më afër me Ilir Metën se sa me pjesën tjetër të PD-së. Ka mes tyre plot ish socialistë siç është vetë familja e gruas së Lulëzim Bashës, që njiheshin më parë në opinion si njerëz të afërt me Gramoz Ruçin. Në vitin 2009 kur unë botova së pari skandalin me Ansar, Basha është marrë personalisht me të që ai ta përgënjeshtronte. Dhe kur nuk pranoi, i hoqi titullin konsull nderi që përmendët ju. Basha bën çdo gjë që i kërkon Argita. Është i preokupuar deri në detaje për të qenë i besuari i saj...”
Lidhur me të ardhmen e tyre, Baze thotë:
“Topalli përfaqëson në PD një brez që ka përjetuar një opozitë të ashpër dhe të vështirë dhe ky fluks brenda PD-së; identifikohet me të, por jo se ajo është shefe e tyre. Të gjithë aty njohin për shef Berishën dhe gara është se kush është më i vlefshëm për të. Me ikjen e Berishës nuk ka kuptim më të flitet për grupe, pasi do të jetë një situatë krejt e ndryshme. Topalli dhe Basha nuk do të kenë kohë as të grinden me njëri-tjetrin. E ardhmja e PD-së do t’i takoj dikujt që ka qenë kritik me Berishën dhe jo nostalgjikët e tij. Sillni pak ndërmend Partinë e Punës dhe kujtohuni që asnjë grup rival që adhuronte Enver Hoxhën nuk e gëzoi dot” A.N.
Add new comment