Baton Haxhiu replikon me Ballën: “Kam 8 vjet që nuk punoj tek “Express. Je i vogël. Ke vdekur si Njeri, sepse gatuan shkronja të papërgjegjshme”

Postuar në 26 Tetor, 2014 16:38

Baton Haxhiu është përgjigjur sot ndaj akuzave të Sokol Ballës, bërë disa ditë më parë, përmes një postimi në “Facebook”. Akuzat i mëshonin idesë se Haxhiu ka spiunuar te policia serbe në Beograd se kush ishte i vëllai i Edi Ramës, madje duke e cilësuar gazetarin nga Kosova si udbash. Haxhiu thotë se po përgjigjet për shkak të publikut, i cili e ndjek gjerësisht emisionin e Ballës, edhe pse konkluzioni për atë shkrim përmblidhet me fjalët “idiot” dhe “turp që gënjen”. Haxhiu ia nis me faktet. “Si është e mundur që një njeriu me kaq jetëgjatësi në gazetari (nuk bën as provën fillestare të më pyesë së paku) i mungon fakti se ka tetë vjet që unë nuk jam në udhëheqje të gazetës “Express” dhe nuk i takoj njerëzit e kësaj gazete... Për një ngjarje në Beograd, ku ishim unë dhe ai (dhe jemi takuar përballë për dy orë e gjysmë në korridorin e mbushur me policë, bashkë me 50 njerëz të tjerë), ka fytyrë të sajojë një gënjeshtër. Dhe atë ta thotë pas një jave. E mbajti thellë në zemër se ishte i lënduar nga spiunimi. Po të isha unë aq afër dhe ta kuptoja se ti vërtet po bëje diçka të tillë, po ta them troç Sokol, nuk do prisja një javë, as një ditë, as një sekondë. Nuk do e bëja fare pjesë mediale këtë. Do të ta thoja aty, në sy, aty para të gjithëve. Nuk do prisja asnjë rast si ai vallëzimi në koncert për t’i shfryrë komplekset mbi një situatë që s’është asgjë tjetër pos një vallëzim. Pse turpërohesh nga ritmi dhe këngët e Bregoviçit, pastaj ofendon në emër të saj. Çfarë njeriu qenke ti? I vogël. Unë po të isha i tillë dhe të deklaroja sajime, qoftë edhe në Facebook, nuk do të provoja kurrë të dilja dhe të shisja mend në ekran. Kurrë. Tre: Ka të bëjë me moralin profesional dhe kolegjial. Secili profesion ka bazën e vet ekuilibruese. Gjysma është profesion dhe tjetra është moral publik. Si mund të lëndosh dhe pastaj të flesh rehat pas një gënjeshtre? A i takon në rrugë gjithë ata njerëz që ishin me ne dhe si u flet? Pra, 50% e pjesës tënde ka vdekur. Ke vdekur si njeri. Sepse aq lehtësisht gatuan shkronja të papërgjegjshme”, shkruan gazetari nga Kosova. Më tej ai bën një koment mes raportit që ka personi në profesionin e gazetarit dhe spekullimit me të drejtën e informimit. “Brenda një kohe shumë të shkurtër, ke mundur të ndërtoje një emision pothuajse të përsosur brenda një shtëpie të madhe mediale, por ti arrite të shndërroheshe në personazh negativ të profesionit të gazetarisë. Ke bërë atë që profesionistët në gazetari e quajnë humbje të etikës profesionale në emër të hakmarrjes. Gazetaria ka qenë aq mirë dhe aq e fuqishme këto vitet e fundit sa është dashur të jesh shumë i pashije dhe i veshur me dozë poshtërsie ta dëmtosh dhe ta shkatërrosh veten në këtë derexhe”, thotë Haxhiu që shtron edhe disa probleme të moralit. “Sokol, përveç dëshirës për të publikuar dhe për ta përdorur Facebook-un për qëllime personale, apo edhe më keq, për të qenë pjesë e një presioni për shkaqe thjesht biznesi, duhet të kesh një moral në shkronja. Pra, 50 përqindëshin e njeriut profesional. Ndryshe, çfarë është dallimi yt me dhunuesit, vrasësit, hajnat e bankave dhe tifozët në Beograd? Çfarë është dallimit yt në krahasim me kriminelët? Sepse një patriot primitiv mund të më vrasë në emër të gënjeshtrës tënde kur, në këtë lloj gazetarie postimi, shkronjat përdoren si dhëmbë e jo si vlerë komunikimi. Kuptohet, gjuha denoncuese edhe kur është ad hominem ka edhe një moral, ku postuesi i shkronjave dallon nga gjuha e tavolinës dhe e thashethemeve. Lehtësia e padurueshme e përdorimit të fjalorit për të ofenduar dhe shpifur, si në rastin në fjalë, nuk i takon as armiqve që e kanë tepruar me raki në një kafene të mbyllur qyteti, e lëre më që fjalë të tilla të përdoren në postime si ofendime ordinere. Sokol, nuk po të them të kërkosh falje publike sepse t’i nuk ke fuqi morale ta bësh këtë. Koha dhe publiku do ta dëshmojnë ty dallimin mes fuqisë së fjalës dhe pafuqisë së poshtërsisë”, përfundon Haxhiu.

http://www.lapsi.al/lajme/2014/10/26/baton-haxhiu-për-sokol-ballën-poshtërsia-si-mënyrë-jetese#.VE141HxmP84

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.