Bashkia mund të heqë ose të shtojë 800 m2 ndërtim për 1000 m2 truall vetëm me një firmë - thonë ndërtuesit për "planin Basha"

Shoqata e ndërtuesve ka bërë dje bilancin e këtij sektori. Viti 2012 sipas ndërtuesve ka qenë viti më i vështirë për ta në këto katër vite krize globale. Po kështu ndërtuesit kanë komentuar edhe planin e fundit rregullues të miratuar nga Bashkia Tiranë, i cili sipas tyre është i paqartë dhe shumë konfuz.
Maksim Muçi, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve i pyetur për planin e Bashkisë së Tiranës thotë: “Është krejt ndryshe nga sa u paraqit në muajin maj ku intesiteti i ndërtimit jepej si një vlere e vetme për një nënnjësi strukturore (rreth 30 000 m2). Në planin e miratuar jepet në një diapazon nga 2.7 ne 3.5 m2 ndërtim për m2 truall duke lënë të hapur kështu mundësinë që zyrtari i Bashkisë mund të heqë ose të shtojë 800 m2 ndërtim për 1000 m2 truall vetëm me dëshirën e tij". Përfaqësuesi i ndërtuesve shtoi se “nga sa kemi parë nga plani i miratuar në Bashki jemi shumë larg edhe nga qëllimi që leja e ndërtimit të jetë një akt i thjeshtë administrativ. Duke mbetur shumë hallka në dorë të administratës së bashkisë, kjo do të lërë hapur mundësinë për klientelizëm”. A.N.
Add new comment