Bashkë me dekoratat e reja (simbolikisht të rëndësishme) edhe disa teza origjinale historike nga Presidenti

Presidenti i Republikës sonë, pra të Shqipërisë, Bujar Nishani ka dhënë edhe sot disa dekorata. Ai ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh në Dhomën e Lordëve, në një pritje që rrallë ndodh me zyrtarët shqiptarë. Lidhur me dekoratat, Nishani ka akorduar “Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për Fort të Nderuarin, Lordin Alan Watson të Richmond CBE; Fort të Nderuarin, Lordin Michael Bates; Sër Noel Malcolm. Me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Alexander Duma dhe Dekoratën “Nënë Tereza” zotit David Lloyd. Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotit Stephen Nash”. Nishani ka folur për një miqësi shekullore mes shqiptarëve dhe britanikëve. Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë ka përfshirë edhe copëza nga historia, por të lexuara ndryshe nga sa në është thënë. “Kushdo e kujton gjestin e Lord Beaconsfield (Benjamin Dizraeli), që për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare, në vitin 1878 dërgoi flotën britanike për të prishur Traktatin e Shën Stefanit. Dhe, me siguri që Shqipëria e dalë nga Konferenca e Londrës në 1913, do të kishte qenë më e vogël se kjo që është sot, nëse Britania e Madhe nuk do të kishte ndikuar për të kufizuar kërkesat e ndonjë fuqie tjetër të madhe, që kërkonte copëtimin e Shqipërisë”, tha Presidenti. Kjo e kalon kortezinë edhe pse është bërë tanimë rutinë presidenciale. Kur Dizraeli dërgonte flotën, me siguri nuk kishte hallin e shqiptarëve, që asokohe njiheshin si territor osman pasi edhe copëtimi fliste për territore osmane në arenë ndërkombëtare. Së dyti, për Shqipërinë e pas 1913-ës, z. Nishani është mirë të kujtojë fatin e Ahmed Zogut, të “preferuarit” të së djathtës së sotme zyrtare, të cilit Britania e Madhe i refuzoi statusin zyrtar dhe i ndaloi veprimtaritë politike, sepse “e kishte lidhur të ardhmen e Shqipërisë së Jugut me kërkesat e Greqisë”. Së fundmi do mbajtur parasysh mirë ajo që thoshte Artan Lame, para disa vitesh, kur më së pari ishte koleksionist, e sipas të cilit “dekoratat dhe medaljet shqiptare(ato të kohës së Zogut), janë shumë interesante për koleksionistët për dizenjon dhe përmbajtjen tematike unike që kanë”.
s.z
Add new comment