Balla: “fëmijët e Berishës, shpifën për Ramën. Tregoni paratë!”

Deputeti socialist, Taulant Balla, ka dalë sërish para mediave sot, për të folur për pasuritë e fëmijëve të kryeministrit Berisha. Dalja e tij, vjen pasi fëmijët e Kryeministrit jo thjesht i bënë ftesën për gjyq, por e panë të arsyeshme të ironizonin politikisht në deklaratën e tyre Edi Ramën. “I kujtojmë zotit Balla, thuhet në deklaratën e tyre, se të ardhurat tona të deklaruara, të kontrolluara e të gjetura në rregull janë në dritë të diellit; ndryshe nga shefi i zotit Balla, i cili pasi betonoi Tiranën me miliona metër katrorë ndërtim dhe u akuzua publikisht nga ndërtuesit se u kish kërkuar miliona euro në shkëmbim të lejeve të ndërtimit, deklaron si kursime jete 3 mijë euro dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj tek mami meqë është i pastrehë”
Në daljen e parë pas reagimit të djeshëm të fëmijëve dhe dhëndrit të Berishës, Balla tha se “fëmijët e Berishës reaguan duke shpifur për Ramën. Më mirë të tregojnë para shqiptarëve se si e vunë gjithë atë pasuri”.
"S’do ishte keq që të na tregonin, qoftë Argita, qoftë Shkëlzeni, sa taksa kanë paguar për pasuritë e vëna gjatë një viti, sepse këtë s’kemi mundur ta mësojmë dot, pasi shteti ka frikë të japë informacion për vajzën dhe për djalin e babit Kryeministër,” tha Balla.
Ai sërish këmbënguli se fëmijët e Berishës duhet të bëjnë transparencën e pasurisë përrallore.
“Meqenëse Argita dhe Shkëlzeni po qahen se ne thjesht po komentojmë të çuditur deklaratat e tyre të pasurisë, pse të mos u tregojnë qetësisht shqiptarëve si mund të jepen tërë këto shtëpia me qera e si mund të mblidhen tërë këto para në këto kohë krize, ndërkohë që shqiptarët që s’kanë lidhje me oborrin e babait të tyre vuajnë për bukën e gojës! 42 milionë lekë vetëm qera.
Argita dhe Shkëlzeni i babit, bëjnë mirë t’i lënë kërcënimet, se nëse përmes gjyqeve nuk arritën deri më sot t’i mbyllin gojën opozitës, sigurisht që nuk kanë për t’ia dalë këto 5 muajt e fundit që i kanë mbetur. Por Argita dhe Shkëlzeni i babit, më shumë sesa opozitës, i detyrohen një shpjegim shqiptarëve të thjeshtë.
I detyrohen një shpjegim mësuesve të thjeshtë:
Si ka mundësi që Argita dhe bashkëshorti i saj fitojnë 210 milionë lekë në një vit të vetëm nga mësimdhënia, ndërkohë që mësuesia në këtë vend të qeverisur nga babi i Argitës është kthyer në një profesion të varfër?
Cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar Argita dhe Shkëlzeni?
Cilët janë pronarët e tyre?
A ka patur ndonjë lidhje mes këtyre bizneseve dhe punës që bën babi i Argitës dhe Shkëlzenit?
Pas konsulencës me Argitën dhe Shkëlzenin, a kanë përfituar para publike, licensa apo koncesione të pasurive shtetërore, nga ato që i menaxhon babi Saliu?” tha Balla.
k.c.
Add new comment