Azizi: Problemi i shkrimtarit, mbrojtja nga vetvetja

Postuar në 03 Korrik, 2012 04:36

Idlir Azizi sapo ka nxjerrë librin e tij me titull sugjestiv “Don Kanuni, ose ngadalë gjaksi fillon dremit në pritë”, dhe gazetarja e Mapos, Jorida Pasku i ka marrë një intervistë, të cilën po e publikojmë në faqen tonë:

Z. Azizi, sërish në fokus të letërsisë që ju shkruani, konkretisht romani i fundit juaji “Don Kanuni ose, ngadalë gjaksi fillon dremit në pritë”,  është Shqipëria e pas viteve ‘90. Vazhdoni të trajtoni anën e errët të shoqërisë…

Gjithmonë i referohem Shqipërisë post-komuniste. Edhe kur mund të shkruaj diçka për regjimin e mëparshëm, u referohem fenomeneve që ndodhin sot. Megjithatë, nuk pretendoj të jem as sociolog, as filozof mirëfilli. Mendoj që mënyra ime e të shkruarit shkon në drejtimin e ligjërimit filozofik, me konotacione sociologjike herë pas here, por gjithsesi mbetet në rangun e fiksionit, të letërsisë. Këtë vend që mendoj se e njoh më mirë se vendet e tjera e përdor për të krijuar fiksionin tim. Edhe po të isha francez ose gjerman, do të vazhdoja në të njëjtën gjë. Mendoj se nuk jam krejt origjinal në demarshin që bëj, siç ka austriakë, hungarezë, apo meksikanë të cilët u referohen vendeve përkatëse, shoqërive ku jetojnë. Unë thjesht kam një logjikë, të ashtuquajtur të ekzagjerimit të fiksionit, që nuk merrem me përqindje, por që e çoj hapin tim deri në fund. Natyrisht, në realitet ka gjëra që janë edhe më të “hajrit”, por unë nuk mendoj se më takon mua në rang shkrimtari të merrem me këto. Ka Ministri të Turizmit, ka institucione të tjera që merren me këtë punë.

Për të ndërtuar narracionin jeni frymëzuar nga Don Kishoti.

Është evidente që ka një referencë prej Don Kishotit dhe prej Don Zhuanit po ashtu. Don Kishoti bashkë me personazhin e Sanço Pançës hasin pikërisht personazhe që janë imagjinarë në mendjen e të dyve. Realiteti dhe fiksioni ndahen nga një gjë transparente. Ky është një kufi shumë i tejdukshëm tashmë prej kohësh në fiksionin bashkëkohor.

Përse është marrë Kanuni si temë kryesore?

Në errësirat e ndërgjegjes sime ka një reagim, në fakt, ndaj gjithë sociologjisë, artit, kinemasë, me të cilën bota njeh Shqipërinë nga Kanuni, si gjakmarrje, si strukturë gjakatare, ekzotike. Unë parapëlqeva kësaj radhe ta shoh nga një anë komike. Kam përshtypjen që është roman sipërfaqësor, jo në kuptimin që është i lehtë, por që merret kryesisht me sipërfaqet dhe jo me thellësitë. Për këtë arsye, çështja gjinore, e ndryshimit të gjinisë së viktimës, më është bërë parësore në këtë libër, mendoj që ishte e vetmja mënyrë e imja për t’u ballafaquar me Kanunin, me këtë lloj tematike që është e stërpërdorur.

Të qëndrojmë te problemet që evidentohen në libër. Duket se zanafilla e tyre nis nga politika…

Unë marr pjesën teatrale të politikës, aty ku unë vë re që ka bezdira në rangun e mizanskenës politike. Është njësoj sikur sheh një vënie të keqe në skenë të Ibsenit, ose të Shekspirit. Kam përshtypjen që në këtë prizëm e shoh se shumica jonë jemi të pafuqishëm të thumbojmë realitetin politik. Por ama kjo nuk na pengon aspak të reflektojmë dhe të konceptualizojmë rreth asaj gjëje. Kam përshtypjen që poeti, apo një i ashtuquajturi mendimtar, apo edhe shkrimtar kaq gjë ka mundësi të bëjë. Ndoshta ka të tjerë që janë më aktivë, që janë demonstrues. Personalisht, mendoj se deri kaq shkoj, në marrjen e këtij realiteti, në ndryshimin e mizanskenës, duke i vënë një regjisorialitet tjetër kësaj skene teatrale politike.  Në fiksion unë përdor shpesh elemente që janë shumë të prekshme (shoqata, parlamenti filan), shpeshherë përdor edhe emra realë, emra të vërtetë politikanësh, që të gjithë i njohin, nuk më intereson aspak satira, kam hall të përdor atë që është reale dhe thjesht ta ndryshoj, ta çoj në një territor tjetër, ta shoh në një pikëpamje tjetër.

Ka më tepër liri në aspektin shoqëror? Kam përshtypjen që nuk kemi arritur te liria e të menduarit. Po nga tjetër, duke qenë se nuk ka dhe mirëfilli censurë, ashtu siç ka në vendet e tjera, ku ti nuk shprehesh dot në një gazetë, apo në një institucion lidhur me gjëra të caktuara, është një e mirë kjo e Shqipërisë gjithsesi që ti mund t’ia këpusësh, e thënë kështu më popullorçe, dhe prapë të jetosh. Nga njëra anë kjo është një nga defektet e tjera që reflektohet te tregu ynë i librit. Është krejt i shkatërruar, sepse ka një liri false, liri budallaqe do të thosha. Kjo, kam përshtypjen që nuk ka sjellë dot një territor të përbashkët të menduari, të konceptualizuari, ose rikonceptualizuari të situatës ku ne ndodhemi. Pra, flasim, argumentojmë, por është pak kalimtare, pikërisht prej kësaj lirie të gjerë, por që është pak false ndonjëherë, sepse është e painstitucionalizuar.

Ka edhe një rol mungesa e kritikës këtu?

Kritika, pastaj, është problem shumë i madh. Kam përshtypjen që në gjithë këto vite unë nuk besoj se kam parë një kritikë të kënaqshme ndaj librave që dalin. Është vështirë t’ua lësh fajin gazetarëve, sepse përditshmëria është përditshmëri. Kam përshtypjen që thjesht vazhdojnë dy domene në rangun e të ashtuquajturës kritikë letrare, ose ka një servilizëm miqësor për çdo vepër që del, ose krejt ana e kundërt, armiqësia e të shpallurve, ku nuk merret në referencë fare teksti, por vetëm personi. Është kultura jonë e mjerë e kritikës, sepse asnjëherë nuk merremi me tekstin, por gjithmonë me emrin, me mbiemrin dhe aspak me materien që autori sjell. Kam përshtypjen që kjo është ana mjerane ku ndodhemi dhe besoj do të vazhdojë pak gjatë.

Si ndikon te shkrimtari kjo?

Kjo është shumë e keqe, sepse unë e them hapur që herët e vonë do bëhemi viktimë e mungesës së kritikës, që të tregon ku ti ta shohësh veten pak mirë. Mendoj se një nga viktimat kryesore të kësaj pune është Ismail Kadareja. Nuk ka asnjë  kritik jo që të merret me të si person, por me të si autor të veprave. Herët a vonë kjo do na bëjë dëm të gjithëve. Duhet një vëmendje e madhe për t’i shpëtuar vetes në radhë të parë, sepse problemi më i madh që ka shkrimtari është mbrojtja nga vetvetja.

A ju ka ndihmuar jeta larg Shqipërisë për të shkruar veprat e deritanishme? Mendoj që më ka bërë fort mirë, sepse mendoj që nuk do t’i kisha shkruar nëse do isha autor në Shqipëri. Jo nga guximi personal, por nga guximi konceptual. Nuk do të kisha ftohtësinë dhe distancën e duhur për të gjykuar për gjërat që ndodhin këtu dhe për t’i trajtuar në atë lloj mënyre.

E imagjinoni lexuesin tuaj?  Nuk e kam idenë e një lexuesi preciz dhe ndoshta më mirë. Ditën që do kem një lexues të përpiktë në mendjen time, besoj nuk do të shkruaj dot më.

Jorida Pasku, Mapo

Comments

Submitted by Bard (not verified) on

<p>Nuk e njoh si shkrimtar Azizin, dhe per perkthimin qe i ka bere Uliksit kam ndjesi te perziera: Diku e ka qare(ne pjesen me te madhe te vepres), vende-vende e ka q*re( ne nje pasazh fjalen &quot;creek&quot; e ka perkthyer &quot;gotull&quot;, çka do ta bente edhe vete James Joyce te ngrinte vetullat nga habia. Gjetje e papare ne kete perkthim eshte epiteti i Buck Mulligan, i cili ne origjinal eshte &quot;plump&quot;, cka do perkthehej nga ndonje perkthyes i thjeshte &quot;trashaluqi&quot;, por qe Azizi ka shkuar pertej komikes, duke e perkthyer &quot;bullari&quot;. Hehehe, a s&#39;te ben te qeshesh: &quot;Bullari Buck Mulligan&quot;?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.