Atak kardiak në skenë, ndahet nga jeta këngëtari italian Mango

Shumë i pëlqyeshëm dhe me një vend të veçatë edhe në preferencat e publikut shqiptar për shumë vite, ndahet nga jeta në moshën 60-vjeçare këngëtari i famshëm italian Giuseppe Mango. Mango ndërroi jetë mbrëmjen e së dielës pasi pësoi një atak kardiak ndërsa performonte një nga këngët e tij më të njohura “Oro”, në një koncert në 'Pala Ercole' në provincën Matera. Ai është transportuar në spital, por nuk ka mundur të marrë ndihmën e parë pasi mbërriti i pajetë. Mango, i njohur për të gjithë publikun me mbiemrin të cilin e kishte shndërruar në emrin e tij skenik, ishte mjaft i pëlqyer edhe për publikun shqiptar. Ai rreth 10 vite më parë ka performuar në një koncert Live në Tiranë për të gjithë fansat e tij. Disa nga këngët që i kanë dhuruar famë Mangos janë “La Rondine”, “Oro”, “Amore per te”, “Lei verrà”, "Bella d'estate” etj. Shumë nga këngët e tij janë risjellë nga emra të mëdhenj të muzikës italiane.
a.k
Add new comment