Asgjësohen 30 milionë euro drogë

Postuar në 15 Qershor, 2014 15:21

Policia ka asgjësuar deri më tani një sasi droge që vlen nga 30 deri në 37 milionë euro, sasia e drogës së djegur është 11 ton e 300 kilogramë, ndërsa janë gjetur dhe shkatërruar 70 mijë rrënjë. Kjo sasi është gjetur gjatë kontrollit të 30 banesave në zonën e lagjes Mahmutaj. Në lagjen që policia ende nuk ka hyrë është djegur një sasi akoma më e madhe droge në një përpjekje për të fshehur provat. Ndërkohë, në jug të fshatit janë duke avancuar ngadalë shtëpi më shtëpi forcat RENEA të mbështetura nga mjete të blinduara. Policia njoftoi se është identifikuar një grup prej 12 personash të drejtuar nga shtetasi Altin Shurdhi. Sipas policisë, aty ndodhej shtetasi Hysen Çela me precedentë penalë, i ashtuquajturi “Neni” i cili po qëllonte me snajper drejt policisë. Rreth orës 13 e 30 ai është arrestuar nga policia dhe është shoqëruar në komisariat.

Grupi në shtëpinë e Altin Shurdhit nuk është i vetmi që po i përgjigjet me armë policisë. Sipas banorëve, në fshat janë edhe dy furgonë me të cilët lëvizin të rinj e adoleshentë të armatosur, tërësisht jashtë kontrollit. Kreu i komunës, Dasho Aliko, paraditen e sotme bëri thirrje që personat e përmendur nga policia të dorëzohen, ndërsa të armatosurit të dorëzojnë armët në qendër të fshatit. Aliko bën thirrje që fëmijët të mbahen në shtëpi në mënyrë që të mos manipulohen.

Ndërkohë, policia bën të ditur se janë sekuestruar edhe dy laboratorë të përpunimit të drogës, një prej të cilëve ndodhet në ambientet e Gate Mahmutajt dhe tjetri në shtëpinë e vëllait të tij, shtetasit Xhezo Mahmutaj. Grupe speciale të hetimit të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, kanë vijuar kryerjen e veprimeve për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave materiale paralel me veprimet operacionale të strukturave policore në terren.

Pak pas mesditës së të mërkurës policia doli në njoftim për vijueshmërinë e operacionit në Lazarat.

Në deklaratën e uniformave blu thuhet se janë kontrolluar edhe shtatë banesa të tjera dhe janë asgjësuar 1.5 ton hashash e rreth 2 mijë bimë narkotike kanabis sativa. Janë sekuestruar gjithashtu 3 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu çifte si dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Policia: Do qëllojmë pa hezitim ndaj atyre që hapin zjarr

Ministria e Brendshme, me anë të një thirrjeje i drejtohet banorëve të fshatit Lazarat që të mos dalin nga banesat deri në përfundim të operacionit. Ndërkohë, në deklaratë thuhet se Policia e Shtetit po vazhdon me vendosmëri operacionin për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu si dhe për identifikimin e shkatërrimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndë narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Ministria e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen e saj drejtuar banorëve të Lazaratit që të distancohen hapur dhe prerë nga elementët kriminalë që synojnë të mbajnë peng gjithë fshatin dhe të ardhmen e tij.

Po ashtu, në funksion të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre u kërkohet të gjithë banorëve të fshatit Lazarat që të mos dalin nga banesat deri në përfundim të operacionit policor. Të gjithë qytetarët e tjerë duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Policia i kërkon gjithë banorëve e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor.  Policia e Shtetit është e vendosur të godasë pa asnjë hezitim dhe pa paralajmërim këdo që do tentojë të dalë mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës, duke ju kundërvënë me armë uniformave blu.

Rama: Policia po i ngre kokën Shqipërisë

E ndërsa operacioni policor në Lazarat ka hyrë në ditën e katërt, zhvillimet e atjeshme në terren ndiqen me vëmendje nga kryeministri Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Gjermani.  Nëpërmjet një komenti në Facebook mëngjesin e së mërkurës, Rama tha: “Policia e Shtetit po i ngre kokën lartë Shqipërisë në Europë me operacionin për fshirjen e Lazaratit nga harta europiane e drogës!”. Rama e mbylli këtë koment me fjalën ‘Mirënjohje’.  Ndërsa gjatë mesditës, në një tjetër mesazh kryeministri komentoi deklaratat e opozitës për operacionin policor në Lazarat. “S’di a duhet qarë a qeshur me SHQUP-in që thotë se operacioni është fryt i presionit të PD!”, shkruan Rama. Shefi i qeverisë shqiptare i ka drejtuar një pyetje opozitës së sotëme, e cila qeverisi vendin në 8 vitet e shkuara. “Po a ishin 8 vjet në pushtet para se të bëheshin SHQUP?”, është pyetja e kryeministrit përmes të cilës duket se kërkon t’i kujtojë opozitës se Lazarati u “bekua” të ishte ai fshat që ishte deri 4 ditë më parë nga mosndërhyja e shtetit.  Komentin e tretë, po për këtë çështje, Rama e nis me një pyëtje që po ngrihet shpesh këto ditë. Kur do përfundojë operacioni në Lazarat? Dhe përgjigja e Ramës është kjo: “Kur të jetë vendosur plotësisht sundimi i ligjit”.  

Gjirokastër, arrestohen tre adoleshentë

Sulmuan me gurë automjetet e policisë

Policia e Gjirokastrës arrestoi në mesditë disa adoleshentë të cilët sulmuan me gurë automjetet e policisë. Ata shkuan pranë Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës dhe në shenjë proteste për aksionin e policisë në fshatin Lazarat. Aty ishin edhe disa familjarë të të arrestuarve të mëparshëm që kërkonin lirimin me arsyetimin se të ndaluarit nuk kanë marrë pjesë në asnjë sulm ndaj policisë. Adoleshentët e ndaluar janë identifikuar me inicialet E.B, K.B dhe B.B, të tre të moshës 17 vjeç, të cilët goditën me gurë makinën e policisë para Drejtorisë së Policisë së qytetit jugor.

Gate Mahmutaj drejt Tiranës

Pas vetëdorëzimit, bashkë me 5 të tjerë drejt kryeqytetit

Mbrëmjen e djeshme u dorëzua në postobllokun më të afërt të policisë shtetasi Gate Mahmutaj. Ai ishte një ndër më të kërkuarit nga policia në këtë aksion dhe personit që ju gjet një sasi kolosale droge në pronat e tij. Policia e ka çuar në 8 numrin e personave të arrestuar në Lazarat. Ndërkohë Gate Mahmutaj dhe pesë persona të tjerë nga forcat FNSH po transportohen në Tiranë, sepse do të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Mahmutaj do të merret në pyetje në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë, nga prokurorët e kryeqytetit.

Pas 6 të parëve që u paraqitën vetë në komisariat me pretendimin se nuk kishin lidhje me ngjarjet e dhunshme, policia i arrestoi ata në flagrancë si të dyshuar.

Ndërkohë që pasditen e së martës u arrestua edhe shtetasi Tonin Mehmet Shehaj, 31 vjeç nga Mallakastra, që ishte dënuar me 7 vite burgim për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.  Ai tentoi dje të dilte nga fshati Lazarat duke përdorur një identitet të rremë, por gjatë verifikimit në postobllokun e ngritur në hyrje të fshatit u prangos.

/ Top Channel/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.