Asad shpall pikën e kthesës drejt triumfit. Akuza mes forcave qeveritare dhe frontit Al Nusra për përdorimin e gazit Klorin

Presidenti sirian Bashar al Asad ka deklaruar se në konfliktin luftarak që zgjat prej tre vjetësh forcat e tij po triumfojnë ndaj rebelëve. Asad e bëri deklaratën në një fjalim në Universitetin e Damaskut. Trupat e tij në muajt e fundit kanë marrë një e nga një nën kontroll qytetet e kontrolluara më parë nga rebelët, në afërsi të kufirit me Libanin. Mbi 150.000 persona janë vrarë përgjatë konfliktit, ndërkohë që miliona të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. “Kjo është një pikë kthese në këtë krizë”, deklaroi Asad, duke shtuar se ushtria e tij po fiton atë që e quajti “lufta kundër terrorit”. Trupat qeveritare kanë siguruar në muajt e fundit autostradën kryesore që lidh veriun me jugun dhe ka bllokuar rrugët e furnizimit për forcat rebele. Presidenti Assad pritet të njoftojë se ai do të garojë për një mandat të tretë si lider i vendit. Korrespondentja e BBC thotë se deklaratat e presidentit bëjnë të qartë se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht apelet e përsëritura nga grupet e armatosura opozitare dhe mbështetësit e tyre perëndimore dhe arabë. Ndërkohë, pala qeveritare dhe grupi kundërshtar i rebelëve islamikë Al Nusra, kanë shkëmbyer akuza për përdorimin e gazit Klorin në përplasjet e të premtes dhe të shtunës në Kfar Zeita (foto, viktimë e gazit). Gazi në fjalë, i aplikuar për qëllime ushtarake që në Luftën e Parë Botërore, nuk është deklaruar nga presidenti Asad përpara autoriteteve të OKB-së.
a.k
Add new comment