Arvizu: Ndihem i ofenduar njësoj si myftiu i Shkodrës… (myftiu do ta komentojë përgjigjen sonte në studion e Tares)

Ambasadori i SHBA në Tiranë ka komentuar në një intervistë me Ilva Taren çështjen e protestave të fundit amerikane dhe reagimet ndaj tyre, përfshi reagimet në Shqipëri. Për pyetjen e Tares “Myftiu i Shkodrës ka thënë se muslimanët janë ofenduar nga videoja. A ju shkakton shqetësim kjo dhe a është rritur niveli i sigurisë për shkak të këtyre deklaratave?” –Arvizu ka thënë mes të tjerave:
“…Në përgjithësi, në lidhje me pyetjet për sigurinë, praktika jonë standarde është të mos komentojmë; ndërkohë duhet të them që bashkëpunimi ynë me Policinë e Shtetit dhe autoritete të tjera shtetërore është i shkëlqyer. Në lidhje me Myftiun e Shkodrës dhe komentet e tij, në fakt, unë e njoh personalisht. Në të vërtetë, ishim ulur ngjitur në një darkë Iftari që shtrova pak javë më parë. Nuk kam biseduar me të që kur jam kthyer në Shqipëri dhe që kur kanë dalë videot, kështuqë pres me kënaqësi të bisedoj me të për to. Kur ai thotë që ndihet i ofenduar, mendoj se është një ndjenjë që e kanë miliona njerëz, përfshi shumë amerikanë, edhe mua. Është një video ofenduese. Qëllimi i saj ka qenë të ofendojë dhe fyejë. Kështu që e kuptoj ndjenjën. Përsëris, shpresoj që ai dhe udhëheqësit e tjerë, në veçanti udhëheqësit muslimanë në Shqipëri do ta përdorin këtë mundësi për të edukuar e informuar njerëzit që mund të ndihen të çoroditur, që mund të pyesin, “Ç’do të thotë kjo?” Është e qartë që ai është një person shumë inteligjent dhe e kupton që kjo nuk ishte dora e Qeverisë së SHBA, nuk ishte diçka e ardhur nga amerikanët e denjë. Është e rëndësishme që të vihet në kontekstin e duhur. Dhe, pres me kënaqësi të bisedoj me të mbi këtë çështje…”
Një pyetjeje të gazetares “Si mund të kapërcehet hendeku mes botës muslimane dhe perëndimore?” – diplomati amerikan i është përgjigjur edhe me një citim nga shkrimet e shenjta. “…Në Shkrimin e Shenjtë ka një pasazh, është në Dhjatën e Re, mendoj tek Mateu. Me siguri është diçka që mund të gjendet edhe në Kur’an apo në fetë e tjera të mëdha të botës. Është një pasazh shumë i thjeshtë që thotë, “Lum paqebërësit sepse ata do të quhen fëmijë të Perëndisë”. Mendoj që përgjigja e thjeshtë është që duhet të ketë më shumë paqebërës, më shumë njerëz që gatshëm të ngrenë zërin për tolerancën sepse me këtë ka të bëjë besimi…” – tha ai.
Sa më sipër është një pjesë ende e patransmetuar e një interviste të Ilva Tares me ambasadorin Arvizu. Intervista e plotë do transmetohet sonte në darkë në Ora News e regjistruar, ndërkohë që në studio për të dhënë komente mbi deklaratat e diplomatit janë ftuar myftiu i Shkodrës, Elbasanit dhe diplomatë. – A.N.
Në foto: Krerët shqiptarë të religjoneve dhe Ambasadori Amerikan në Tirane Aleksandër Arvizu, gjatë një darke iftari për besimtarët me rastin e muajit të Ramazanit
Comments
prape ambasadori amerikan
<p>prape ambasadori amerikan ,,</p><p>e lodhet ,e torturuat te shkretin. po per ndeshjen e kombetares me zvicren e pyetet? po per ezelin??????</p>
Add new comment