Artan Didi: Operacion i pakthyeshëm, nuk kemi të drejtë të tërhiqemi. Fshati, në kthetrat e një grupi trafikantësh

Kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi ka deklaruar sot se Policia e Shtetit është e vendosur të çojë deri në fund ndërhyrjen në fshatin e Lazaratit kundër kultivimit të lëndës narkotike, por ajo që tashmë është kthyer në një mision pa kthim është kapja e rrjetit të grupit kriminal të trafikantëve që ka rezistuar me armë nga nisja e këtij aksioni.
“Është dita e tretë e operacionit të gjerë të FNSH të ndërhyrjes në Lazarat, por operacioni në Lazarat ka dy muaj që ka filluar që me sensibilizmin e opinionit, takimet me banorët dhe tani në fund erdhëm në fazën që pas të gjitha masave policore në lidhje me komunitetin nuk u arrit objektivi për të penguar kultivimin e drogës. Kështu që u pa që policia të përdorë atributin e saj përmes forcës, policia është në të drejtën e vet në zbatim të ligjit. Nga një operacion kundër kultivimit të lëndës narkotike ky po kthehen në një aksion për të kapur një grup trafikantësh që e ka mbajtur nën kthetra këtë fshat. Nuk kam informacione për lidhje politike, por ky është një grupim vërtetë i strukturuar që dirigjohet, dhe kjo duket nga lojërat që janë bërë nëpërmjet medies nëpërmjet komunikimit me medien të atyre elementëve kriminal që kanë goditur policinë”, tha Didi, “unë u bëj thirrje të dorëzohen pasi policia nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ne do të vendosim ligjin në çdo centimetër të hartës të Shqipërisë. Ne jemi futur vetëm në një pjesë të Lazaratit nuk e menduam si një gjë të lehtë dhe ndaj nuk hymë më parë, pasi llogaritëm kapacitetet nisëm këtë operacion, i cili mund të vazhdojë në varësi të situatës që do të paraqitet atje. Policia do të vijojë këtë operacion pa dëme në njerëz. Ne i kemi dalë për zot kësaj zone dhe nuk kemi të drejtë të tërhiqemi”.
a.k
Add new comment