Arrestohen guvernatori i BSH-së Ardian Fullani dhe kryeinspektorja Elivar Golemi, zëvendës guvernatore Elisabeta Gjoni merr frenat e Bankës së Shqipërisë

Postuar në 05 Shtator, 2014 13:24

"Shpërdorim detyre". Kjo është dhe akuza fillestare për të cilën është firmosur “masë arresti me burg” me vendim gjykate. Pas kësaj policia e kryeqytetit ka arrestuar mbrëmjen e së premtes, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, pikërisht sapo ka dalë nga zyra e tij. Sipas informacioneve paraprake mësohet se arrestimi ka në qendër të tij skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit. Guvernatori ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Mësohet se Fullani do t'i nënshtrohet të gjitha masave ligjore dhe do merret në hetim sa i takon skandalit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit. Në mëngjesin e sotëm dy nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së BSH, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi dhanë dëshmitë e tyre në Prokurorinë e Tiranës. Disa minuta më pas u bë e ditur se dhe inspektorja e përgjithshme Elivar Golemi gjithashtu është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Edhe ajo akuzohet për “shpërdorim detyre”, sepse sipas prokurorisë nuk kanë kryer me përgjegjësi detyrat që i ka përcaktuar ligji. Elivar Golemi refuzoi t’i përgjigjej Kuvendit të Shqipërisë përmes Komisionit të Ekonomisë, por nga ana tjetër ka dhënë një dëshmi në ditët e para kur u zbulua vjedhja. Në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur menjëherë avokati mbrojtës i familjes Fullani, Maks Haxhia. Paraqitja e tij mesa duket ka të bëjë me interesimin sa i takon pozicionit juridik të Fullanit, personit që do të marrë në mbrojtje. Prokuroria është tejet e rezervuar për mënyrën se si kanë shpërdoruar detyrën dy personat e arrestuar. Ndërkaq, paraditen e sotme Drejtori Juridik i Bankës së Shqipërisë i ka dorëzuar prokurorit Adriatik Llalla, një dosje, gjë e cila e ka ndihmuar me sa duket prokurorinë që në orët e mbrëmjes së të premtes të arrestojë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë menjëherë sapo ka dalë nga zyra e tij si dhe kryeinspektoren. Drejtimin e Bankës së Shqipërisë, automatikisht e ka marrë Elisabeta Gjoni, zëvendës guvernatore e BSH-së. Kështu, shkon në 19 numri i të arrestuarve në lidhje me super skandalin e vjedhjes së BSH-së. Nga të arrestuarit, Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok, ka pranuar se ka marrë 713 milionët dhe i ka shpenzuar të gjitha në kazino dhe lotot e sportit. 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.