Arrestim, jo thjesht gjobë…Policia rrugore kryen 8 arrestimet e para

Neni 291 i Kodit Penal parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj për dikë që drejton automjetin në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë. Por deri dje, neni ishte zbatuar vetëm për pjesën ku nuk bëhet fjalë për burgimin – gjoba ishte maksimumi i dënimit për këtë vepër penale. Nga dje, gjërat kanë ndryshuar, raporton gazeta DITA – 8 persona, Altin Kasula, Hysni Meka, Oltian Muça, Xhevat Kasa, Enea Totraku, Arif Hoxha, Hysen Stafa dhe Shkëlqim Sokoli janë arrestuar nga policia rrugore në shkelje flagrante të këtij neni të Kodit Penal. Arrestimet janë bërë në Tiranë e Kavajë, por, citon DITA burime zyrtare nga Ministria e Brendshme, ato do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, sepse rreth 20% e aksidenteve shkaktohen prej gjendjes së dehur të shoferëve ose për mungesë të aftësive të drejtimit të automjetit.
Shënim historik: George W. Bush u arrestua nga policia për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, kur i ati, George W.H. Bush, ishte Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s.
E.Zaloshnja
Add new comment