Ardian Vehbiu ironizon faqen online të së përditshmes Shekulli

"Një vështrim i shpejtë në faqen e parë të Shekullit sot, më la përshtypje, të them pak, të keqe, - shkruan Ardian Vehbiu në "Peizazhe të Fjalës" dhe rendit titujt duke e ironizuar prezantimin në home page si një "festival patriotik":
"Mes lajmeve kryesore, lexoj menjëherë një njoftim për Mrkiçin që i paska thënë Panaritit se “Numri i serbëve në Shqipëri është i pasaktë, duhet të rinumërohen”. Më tej, një lajm tjetër i thotë lexuesit se, sipas ambasadorit të Serbisë në Francë, “Projekti shqiptar kërcënon interesat jetike të Serbisë.” Ka pastaj një lajm për në Maqedoni, ku “nuk deklarohet numri i nxënësve shqiptarë.” Në mes të faqes, majtas, na thuhet se, sipas Rohanit, “Plani i Ahtisaarit përmban autonominë substanciale për serbët”.. Pak më poshtë, në të njëjtën zonë të faqes, rimerret lajmi nga kolona lart djathtas, me një titull të ri: Ambasadori serb: “Shqipëria e madhe cenon stabilitetin në Ballkan.” Më tej, jepet një intervistë me kryetarin e QKK-së, me titullin bombastik “Skandali me Taken 2, qeveria toleron provokacionin antishqiptar,” edhe pse nga intervista kuptohet se Minarolli nuk i jep ndonjë rëndësi filmit të shfaqur.. Si për ta zbutur “skandalin” kinematografik, i rrëfehet pastaj lexuesit për një “nuse italiane veshur me kostum mirditoreje” dhe, më poshtë, për shpikjen e një shqiptari “që po pushton tregun amerikan.” Pas kësaj paranteze, titujve u rikthehet serioziteti: Maqedonasit sulmojnë ushtrinë shqiptare; por ata lexues që shqetësohen (ose, përkundrazi, entuziazmohen) se mos ka shpërthyer Lufta Ballkanike, mësojnë aty për aty se bëhet fjalë për një sulm hakerësh. Në të njëjtën faqe kryesore, këtë herë djathtas në krye, lexon edhe për një “Meshë për shqiptarë, grekë dhe rumunë në gjuhën e mallkuar shqipe,” shkrim i cilësuar, kushedi pse, si “opinion.” Këtë festival patriotik e mbyllin lajmet për futbollistin Kabashi, i cili thotë se “ka gjak kuqezi dhe nuk luan për kombëtaren italiane”…
Ligatinë kombëtarizmi - e quan Vehbiu situatën dhe shkruan:
"Pyetja që më vjen natyrshëm: si përfunduam në këtë ligatinë kombëtarizmi, njëlloj si bretkosa proverbiale që e lejon veten të ziejë në epruvetë, edhe pse mund të kërcente që andej kur të donte? Nuk jam në gjendje të them nëse publiku i “Shekullit” është vërtet i etur për të konsumuar këtë farë diskursi kombëtarist të shfrenuar, apo nëse është vetë gazeta e cila synon të krijojë dhe të përpunojë një lexues të tillë, prototip të elementit të turmës fashiste, brenda një vizioni të polarizuar dhe etnocentrik të botës, të ndarë midis “tanëve” dhe “atyre të tjerëve.” Logjika ma thotë që problematika kombëtariste, në Shqipëri, duhej shtruar krejt ndryshe: nevoja për shërbim publik, për qytetari, për mbrojtje të mjedisit, për zhvillim të arsimit dhe të kulturës kombëtare… Nëse nuk ndodh kështu, atëherë mediat bëhen pjesë e manipulimit të publikut; meqë nuk informojnë, por shmangin vëmendjen nga informacioni i nevojshëm. Zhurma emo për serbët, futbollistët e kombëtares, filmin “Taken” dhe hakerat maqedonas është e tillë, që më shumë se informacion, kërkon të ngrejë turmën në valle, me ritmin e një daulleje të çpuar...". Re.Pu.
Comments
Eshte e vertete se ka shume

Eshte e vertete se ka shume gazeta ne Shqiperi qe i ngjajne ligatinave te ndyra por kurrenje prej tyre nuk eshe ligatine e patriotizmit. Ndodh shpesh qe ne ato gazeta te shkruajne thithelopat skorbutike te filozofise pa tru duke shprehur mendimet e tyre dredharake e te helmuara por qe jane veshur me nje cipe oratorie te pacipe. Sot Shqiperise i duhen shqiponja luftarake dhe jo zhaba te ndyra filozofike!

Shekull eshte nje nder

Shekull eshte nje nder gazetat me amatore e te pasakte ne Shqiperi. Plot genjeshtra jane.

Cfare lloj ligatine eshte

Cfare lloj ligatine eshte Pejsazhe te fjales te XhaXhait alias Ardian Vehbiu? Stili i tij eshte "them nuk them, pohoj por mohoj". Ardian dikur jepje shpresa per me shume. Me respekt, Xhaferi

Po kujt i intereson sot

Po kujt i intereson sot analiza e (kësisoj) gazetave në Shqipëri?!

Për sa kohë që ka mot që u ka dalë boja dhe u ka rënë varaku, besoj se është humbje kohe të merresh me to, e ca më pak me kritikë substanciale.

Add new comment