Arbëni përcillet nesër në 13.30 në Tetovë

Postuar në 15 Gusht, 2012 13:13

PDSH-ja e Maqedonisë ka bërë të ditur se “të enjten (16 gusht 2012) në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, do të mbahet një mbledhje komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e Arbën Xhaferit, do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit".

Arbën Xhaferri lindi në qytetin e Tetovës, më 24 janar të vitit 1948. Karrierën e tij profesionale një kohë të gjatë e ka ushtruar në Radiotelevizionin e Prishtinës, si redaktor për Kulturën, ndërsa pas viteve ’90, ai u shpërngul në Maqedoni, duke u përfshirë në skenën politike për 18 vjet me radhë. Arbën Xhaferi është themelues i Partisë Demokratike Shqiptare, të cilën e drejtoi deri në vitin 2007, vit kur u tërhoq nga politika aktive, pasi u diagnostikua me Parkinson.

Ai njihet veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Gjatë luftës së Kosovës, më 1999, partia e tij ishte në pushtet dhe nga faktori ndërkombëtar u çmua për tonet qetësuese pas ballafaqimit të Maqedonisë me krizën e refugjatëve .

Edhe gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoni, partia e tij ishte në pushtet dhe Xhaferi ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit. Pas vendosjes së firmës në dokumentin paqësor, Arbën Xhaferi i bëri deklaratat e rastit në gjuhën shqipe duke shkaktuar nervozizëm te zyrtarët maqedonas nënshkrues të dokumentit të Ohrit.

Por, me zvarritjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Arbën Xhaferi deklaroi se tërheq firmën nga ky dokument duke synuar një marrëveshje të re politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve që përfshinte dhe krijimin e një sistemi dy-dhomësh në institucionin ligjvënës, si forma e vetme që mundësonte realizimin kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.
(A.N.)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.