AP në Tiranë përshëndet rezolutën e KiE për të burgosurit politikë. Vota shqiptare në Strasburg, kundër

Votimi kundër rezolutës së KiE nga përfaqësuesit e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës: “Mbi përkufizimin e të Burgosurit Politik” është konsideruar veprim i turpshëm nga përfaqësues të KiE në Strasburg. Shqipëria, e cila ka edhe presidencën e KiE u reshtua në vendet që votuan kundër dhe pohoi që ishte përfshirë në një lobim të Rusisë e Azebajxhanit.
Por rezoluta ka gjetur përkrahje të menjëhershme në Tiranë nga Avokati i Popullit, një nga zyrtarët shqiptarë që nuk i mungon kurrë axhendës së përfaqësuesve të lartë të BE-së sa herë këta vijnë në Tiranë (është bërë si zakon kohët e fundit që krahas krerëve të shtetit , zyrtarët e lartë të BE përfshijnë në takime edhe Totozanin - dje pasdite të njëjtën gjë bëri edhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Zanieri).
Kabineti i Totozanit ka shpërndarë sot pasdite një deklaratë në media ku duket qartë që AP nuk është në një linjë me ata që votuan kundër rezolutës në KiE. Lexohet në deklaratë ndër të tjera:
“Avokati i Popullit vlerëson dhe përshëndet aprovimin e kësaj rezolute nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, si një hap të rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe në përcaktimin e një standardi ndërkombëtar orientues, për përkufizimin e të burgosurit politik. Prandaj sot, ritheksojmë se Avokati i Popullit mbështet fuqimisht të gjitha iniciativat e ndërrmara nga organet e Këshillit të Europës, apo edhe organizata të tjera ndërkombëtare, ku vendi ynë është anëtar, të cilat shërbejnë për promovimin dhe forcimin e vazhdueshëm të standarteve të të drejtave dhe lirive të njeriut, në vëndet anëtare”.
Deklarata e plotë: http://www.avokatipopullit.gov.al/?p=3222
Foto: Komisioneri i BE per Zgjerimin Stefan Fule dhe ambasadori i BE në Tiranë Sequi, në zyrën e A.P. Totozani në Tiranë
Add new comment