Antonio Conte i Juves: Ka njerëz që janë bërë keq prej suksesit tim

Postuar në 23 Gusht, 2012 14:37

“Nuk jam marrë kurrë me baste në jetën time; është suksesi im që u ka rënë keq në stomak të tjerëve; dhe unë jam viktimë e suksesit tim”, ka thënë në thelb në konferencën e sotme për shtypin Antonio Conte, njeriu që e ngjiti Juventusin në majën e futbollit italian pas disa vitesh të mundimshme. Është hera e parë që Conte flet, ndonëse ka muaj të tërë që ka qenë në fokus të mediave sportive, e jo sportive. Priti derisa gjyqtarët brenda sistemit sportiv dhanë verdiktin e tyre (10 muaj larg pankinës – ky ka qenë verdikti), dhe me siguri duhet të ketë qenë me shpresën se do t’ia hidhte paq, gjë që shpjegon shpërthimin e sotëm.

Ai akuzohej se para ndeshjes së serisë B mes Novarës e Sienës u është drejtuar lojtarëve të Sienës me fjalët: Mos u shqetësoni shumë, pasi gjërat janë rregulluar që ndeshja të dalë në barazim. Por kjo akuzë ra. Dhe kështu ai u dënua vetëm për akuzën e dytë, që ka të bëjë me ndeshjen Albinoleffe-Siena, e cila është dokumentuar si e trukuar. Dhe Conte është dënuar, jo sepse ka prova që ai ka gisht në këtë trukim, por sepse ai “nuk mund të mos dinte gjë”.

Vendimin e gjyqtarëve e ka komprometuar disi një deklaratë e njërit syresh, Piero Sandulli, i cili në radion Capital citohet të ketë thënë se “Conte mund ta hante më keq se kaq, e prandaj nuk duhet të ankohet shumë”. Conte është kapur gjatë në konferencën e sotme pas kësaj fraze ‘jo prej gjyqtari’, dhe ka ngritur akuzën se vendimi kundër tij është marrë me mentalitet tifozi.

Por kjo gjuhë nuk është pritur mirë nga autoritetet sportive. Ndërsa nga tifozët e Juves, po.

E.G.

Comments

Submitted by studenti (not verified) on

<p>ajo qe po i ndodh ketij njeriu eshte nje prove flagrante se drejtesia eshte e zgjebosur edhe ne bregun matane, jo vetem ne kete ane. te denosh nje njeri duke thene thjesht &quot;e pashe me arme ne dore&quot;, ky eshte kulmi. asnje prove, nderkohe qe ka nje varg te gjate deshmitaresh kunder... drejtesi plerë!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.