ANSA lajmëron se Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit në BE, Svoboda përdor termin e ri “status me kusht”

Shqipëria mund të bëhet vendi tjetër i Ballkanit Perëndimor, që do jetë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, - raportoi agjencia italiane, ANSA. Ajo thotë se progres- raporti i përgatitur nga Komisioni Europian për Shqipërinë do të bëhet publik më 10 tetor dhe do të përmbajë një vlerësim pozitiv, sidomos për faktin se është kapërcyer kriza politike dhe palët në Shqipëri kanë nisur bashkëpunimin duke miratuar disa reforma, si ajo për kodin zgjedhor.
Rekomandimi më pas shkon në Këshillin e BE në dhjetor, ku vendet anëtare të BE pritet të marrin një vendim. Në rast se vendimi do jetë pozitiv, Shqipëria do bëhet shteti i pestë në Ballkanin Perëndimor, që do jetë kandidat për tu bashkuar me BE-në, përveç Kroacisë (që do hyjë në BE në korrik 2013), Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Po këtë pasdite, drejtuesi i grupit parlamentar të të majtëve në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda, tha se Shqipëria mund të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian, por do jetë "status me kusht". Ai tha se kushti janë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Në rast se ato dështojnë, statusi do bëhet nul, - tha Svoboda për televizionin Top Channel.
(A.N.)
Foto: Berisha në mitingun festiv për heqjen e vizave 12 nëntor 2010
Add new comment