Angjelin Preljocaj në “Prizëm”; një rrëfim i shkurtër për veten dhe projektet e së ardhmes me baletin e Tiranës

Angjelin Preljocaj, balerini dhe koreografi me origjinë shqiptare, por me banim në Francë ka dhënë sot një intervistë për Aleksandër Furxhiun në emisionin “Prizëm”. Preljocaj vjen në Shqipëri për herë të dytë, pas 20 vjetësh dhe ka përcjellë përshtypjet e veta për atë sesi e shikon vendin tonë aktualisht. “Është sikur të njohësh diçka që sapo e ke zbuluar”, tha Prelocaj. Ai ka folur për orgjinën e familjes nga Vermoshi, ikjen nga Shqipëria në vitin 1955 dhe vendosjen në Francë. Kontakti me baletin dhe lidhja me të ka ardhur nga një fotografi në një kopertinë libri e të mirënjohurit Rudolf Nurejev. “Është paradoksale. Baleti është lëvizje, kurse unë e desha atë përmes një kontakti të palëvizshëm, pra të një imazhi”, është shprehur ai. Një pikë interesante ka qenë edhe largimi nga Tuloni, ku Preljocaj punonte si drejtues i një qendre kombëtare koregorafike. Shkak ishte fitorja e zgjedhjeve lokale nga Fronti Nacional, që kërkonte mandej kontrollin e këshillit administrativ të qendrës. “Ishte diçka që unë nuk mund ta pranoja”, ka thënë Preljocaj. Në lidhje me Shqipërinë, përveç baletit të tij “Stravaganza”, që vihet në skenë në Tiranë, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës për një bashkëpunim 3-vjeçar. “Është shumë bukur të realizohet ky bashkim energjish, të shohim potencialin shpërthyes të tij”, ka thënë ai, për të vlerësuar balerinët shqiptarë dhe shkollën e tyre ruse të importuar herët nga shkolla e Petërburgut.
s.z
Add new comment