Analisti çek: CEZ e ka të vështirë të dalë nga Shqipëria në mënyrë elegante. Por një “mënyrë” është (dhe u kushton shqiptarëve 60 milionë euro)

Agjensia e lajmeve Bloomberg ka cituar sot një anëtar të bordit të CEZ, Tomas Pleskac, të thotë që gjigandi europian i energjisë me bazë në Çeki po mendon të largohet nga Shqipëria. Pleskac e ka portretizuar Shqipërinë si një vend joserioz:
“Problemi në Shqipëri është se sa herë që ne arrijmë një marrëveshje me një autoritet shtetëror, një autoritet tjetër shtetëror shpall pretendime të tjera. Nuk ka një njeri të posaçëm me të cilin ne mund të bisedojmë” - janë fjalët e tij.
CEZ, e cila disponon rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, thotë se ka humbur gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti 119 milionë dollarë nga operacionet në vendin tonë. Mosmarrëveshjet me Shqipërinë u ashpërsuan kur qeveria shqiptare i faturoi 23 milionë euro taksa shtesë kompanisë me argumentimin se ajo duhet të paguajë Tatim mbi Vlerën e Shtuar edhe për energjinë e shitur por që nuk është paguar.
Petr Bartek, një analist në Pragë, citohet nga Bloomberg: “Punët në Shqipëri me të vërtetë nuk po shkojnë mirë, por nga pikëpamja ligjore, CEZ e ka të vështirë të dalë nga ky treg në mënyrë elegante”.
Por CEZ në fakt, është i “mbuluar” nga tërheqja prej Shqipërisë nga një garanci prej 60 milionë euro, shumë të cilën (është vendosur që kur është nënshkruar kontrata me qeverinë e Tiranës) ata do ta marrin nga Banka Botërore, nëse ikin nga tregu shqiptar. Këto para do të konvertohen në borxh që Shqipëria do të duhet t’ia paguajë Bankës Botërore. A.N.
Comments
Saaali, CEZ-i.
<p>Saaali, CEZ-i.</p>
Add new comment