Analistët në Kosovë: Koalicioni PDK-LDK, 2-3 vite jetë

Analistët në Kosovë nuk besojnë se koalicioni qeverisës i dy forcave kundërshtare PDK e LDK do të ketë jetëgjatësi. Madje, ata përcaktojnë edhe një afat që arrin në 2-3 vite. Sipas analistëve, koalicioni PDK-LDK ka dëshmuar edhe më herët se ka probleme sepse nuk ekziston besimi i ndërsjelltë. “Mungon besueshmëria e ndërsjellë dhe pas një kohe krijohet një hendek mes këtyre dy partive dhe në vend të një qeverie i kemi dy qeveri. Kjo gjë mund të ndodhë edhe kësaj radhe, mirëpo mendoj se mund të ndodhë pas dy apo tri vjetësh”, thotë analisti Artan Muhaxhiri për “Radio Kosovën”.
Skeptik për jetëgjatësinë e koalicionit PDK-LDK është edhe profesori Riza Smaka, i cili thotë se ky është koalicion artificial dhe me plot kontradikta. Smaka thotë se ky koalicion është i paqëndrueshëm duke pasur parasysh sidomos deklaratat e vazhdueshme të kreut të LDK-së se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në. PDK e LDK kanë bashkëqeverisur në mandatin 2007- 2010, kohë kur në krye të LDK-së ishte Fatmir Sejdiu. Marrëveshja e koalicionit u prish para përfundimit të mandatit. Një prej zërave më kritikë gjatë asaj kohe për koalicionin me PDK-në ishte vetë kreu aktual i LDK-së, Isa Mustafa.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=11799
n.k
Add new comment