Ambasadori ynë në Greqi negocion për dorëzimin e të arratisurit shqiptar. Më në fund, një reagim.

Më në fund një reagim zyrtar shqiptar për sagën e të burgosurve të arratisur nga burgu i Trikallës, që po ndiqen e eliminohen nga policia dhe forcat speciale greke në një odise disamujore gjurmimesh pranë kufirit. Ambasadori ynë në Greqi, Dashnor Dervishi është duke bërë negociata me autoritetet e ministrisë së Brendshme greke dhe policisë, për të mbërritur në dorëzimin e Ilir Kupës, i vetmi që ka mbetur nga grupi i tetë të arratisurve, pas vrasjes së Marian Kolës. Ambasadori (në foto majtas, me ministrin Avramopulos) ka zhvilluar një sërë takimesh për këtë çështje me përfaqësues të lartë të ministrisë së Brendshme greke, në mënyrë që të arrihet në dorëzimin e të kërkuarit, në respektim të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, raporton News 24. Z.Dervishi bëri me dije se ka marrë kontakte dhe me të afërmit e Ilirit, në mënyrë që 27 vjecari të dorëzohet dhe të shmanget kështu çdo dhunë me pasoja të rënda.
A.K
Add new comment