Ambasadori i Francës, Fitoussi: “I kënaqur që nuk jam ambasador i UEFA-s. Objektivi im është sjellja e investitorëve francezë”

Ambasadori i Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi, ka bërë sot një dalje publike për mediat, pas vizitës që ka zhvilluar në Elbasan. Ai ka bërë të qartë se e ka lexuar reagimin e shqiptarëve për vendimin e UEFA-s, të cilin shumëkush e lidh me qenien e Platinisë në krye dhe origjinën e tij franceze. Fitoussi ka përcjellë mesazhin se këtu duhet të bëhet një dallim dhe të mos përgjithësohen gjërt. “Unë nuk jam ambasador i UEFA-s, dhe jam shumë i kënaqur që të mos jem ambasador i UEFA-s. Më seriozisht, mendoj se Shqipëria duhet të presë vendimin në apel. Por për aq kohë sa jam mbështetës i futbollit, qytetar francez dhe qytetar i botës, besoj se futbolli është diçka shumë serioze që t’i besohet politikës. Tani ka gjëra më shumë të rëndësishme se sa kjo ndeshje futbolli, bashkëpunimi rajonal, respekti midis fqinjëve, nëse historia mund të ndryshohet, gjeografia kurrë dhe unë nuk do të doja që futbolli të jetë një mjet që të provokojë turpe të tilla. Nuk dua që futbolli të jetë nxitës armiqësie midis fqinjëve, që në vitet dhe në dhjetë vjeçarët që kanë përpara do të jenë anëtarë të BE-së”, tha ai. Më tej akoma, ambasadori francez ka premtuar se do të përpiqet që të ndryshojë imazhin e Shqipërisë tek investitorët francezë, që mungojnë thuajse fare në vendin tonë. “Unë dua të ndryshoj imazhin e Shqipërisë në Francë, kjo do të jetë lufta ime e përditshme, kjo do të jetë mjeti i vetëm për të bërë të mundur që investitorët francezë të vijnë në Shqipëri. Unë nuk po them se do të ndryshoj Shqipërinë, por idetë e këqija që ekzistojnë për Shqipërinë. Dhe objektivi im kryesor është që t’i paraqes objektivisht investitorëve francezë mundësitë, por edhe vështirësitë që ka të punosh në Shqipëri, kjo do të jetë puna ime”, tha ai.
s.z
Add new comment