Ambasada gjermane: “Raportim jo objektiv” i deklaratave të ministrit tonë të Brendshëm. Detaj: Burimi i lajmit ishte agjencia gjermane “DW”

Postuar në 03 Tetor, 2014 07:43

Ambasada gjermane në Tiranë ka shpërndarë sot një deklaratë për shtyp, përmes së cilës përgënjeshtron raportimin mediatik të deklaratave të ministrit të Brendshëm, Thomas de Maiziere. Ja çfarë thotë ambasada që kritikon raportimin objektivisht të pasaktë nga mediat shqiptare(disa prej tyre): “Nisur prej raportimeve objektivisht të pasakta të disa mediave rreth konferencës për shtyp të Ministrit të Brendshëm Federal të Gjermanisë, z. Thomas de Maizière, mbajtur më 1.10.2014 “Rreth gjendjes së krimit të organizuar në nivel federate për vitin 2013” përcillet më poshtë teksti i citatit të Ministrit referuar Shqipërisë: “Unë kam biseduar me Ministrin e Brendshëm së bashku me kolegun tim francez. Ai është i ri në detyrë dhe tejet i angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është diçka e vështirë duke konsideruar faktin, që krimi i organizuar kishte depërtuar ndërkohë deri në strukturat e aparatit shtetëror, dhe kërkon - e këtë e them mjaft seriozisht - kurajo personale nga ata që qeverisin”.  E vërteta është se lajmin për raportin e ministrit gjerman, të gjitha mediat shqiptare, përfshirë edhe ato kryesoret, e kanë marrë nga “Deutsche Welle”, e cila që në titull vendos kohën e tashme: “Gjermania kritikon Shqipërinë: Bashkëpunimi kundër bandave ka ngecje”. Më poshtë edhe pjesë nga teksti i lajmit të përcjellë nga agjencia gjermane, e që mund të shihet lirisht në internet: “Ministri i Brendshëm gjerman shprehet me kritikë se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Serbinë në këtë drejtim nuk funksionon ashtu si mendon Gjermania. De Maiziere ka pranuar se luftimi i kriminalitetit nuk është optimal dhe kjo për arsye të "ndërlidhjeve të kriminalitetit të organizuar deri në aparatin shtetëror".  Dhe përtej “ndërlidhjeve me aparatin shtetëror” që mund të nënkuptojë edhe vetëm persona të caktuar, “DW” sqaron se këtu lidhja shkon edhe më tej, pra me pushtetin. “Pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve të pushtetit me kriminalitetin, shpesh personat përgjegjës në Shqipëri duhet të kenë guxim të madh personal nëse luftojnë krimin e organizuar, ka thënë ministri i brendshëm gjerman”, vijon teksti. Çfarë rezulton është se ndoshta korrigjimi ose mungesa e objektivitetit në raportim, do kërkuar në burimin e lajmit.

s.z  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.