"Alo, jam Presidenti...”

Është një Amerikë e ndarë më dysh më shumë se kurrë. Dhe ka nisur të përhapet ankthi se do përsëritet situata e votimeve të vitit 2000 mes George W.Bush dhe Al Gore. Sytë janë ngulur në Florida dhe Ohajo: janë dy shtetet të cilët kanë numrin më të madh të elektorëve në Kolegj (29 e 18).
Për të njohur exit poll-et e para duhet pritur ende, por përshtypja e përgjithshme është që do pritet gjatë. Skenari më “katastrofik” është ai i një rinumërimi në Ohajo, që duke patur parasysh procedurat komplekse, mund të shkaktojë një vonesë disajavore të shpalljes së fituesit. “Ndoshta deri në dhjetor” – shkruan faqja online e New York Times.
Dy rivalët kanë shkuar ndërkohë në “kështjellat” e tyre: Obama në Chicago, në Illinois, dhe kandidati republikan në Boston, në Massachusetts, ku ka qenë guvernator.
"Kam besim që i kam votat për të fituar” – citohet të ketë thënë Obama gjatë një vizite blic në një komitet të vogël elektoral, ku ka bërë madje dhe një telefonatë “provokuese” dhe është dëgjuar të thotë: "Alo, jam Barack Obama, nuk më njeh? Presidenti...”. Dhe më pas ka shtuar: "Sido që të vejë, faleminderit popullit amerikan”.
Romney, i cili në mëngjes ka votuar në Boston me bashkëshorten Ann, ka shkuar në Pennsylvania në Ohajo, para se të kthehej në qytetin e tij të lindjes për të pritur rezultatin. Dhe u ka thënë mbështetësve të vet në Cleveland: ''Kjo është një ditë e madhe, e një ndryshimi të madh”. (a.th.)
Add new comment