Aleanca Kuqezi, dy goditje djathtas, një majtas

Aleanca Kuqezi zhvilloi sot një protestë kundër ndërtesave të ngritura mu në breg të detit në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi denoncuan mbështetjen që Berisha u ka dhënë dhe u jep ministrave të tij, të cilët, sipas AK-së, kanë ndërtuar pallate në kundërshtim me kushtet teknike dhe natyrore në bregdetin jonian, më pak se njëqind metra larg detit. Një goditje djathtas kjo - ndaj kreut të mazhorancës.
Duke e zhvilluar protestën para një shumëkatëshi që, sipas gazetës Tema, po e ndërton bash mbi ujë vjehrri i Lulzim Bashës, Aleanca Kuqezi duket se dha edhe një goditje tjetër djathtas - ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili mund të jetë pasardhësi politik i Berishës.
Gjatë protestës, aktivistët e Aleancës Kuqezi theksuan gjithashtu se qeveritarët ndërtojnë në mënyrë të kundërligjshme në bregun e Vlorës dhe kryebashkiakët e saj firmosin lejet e ndërtimit. Një goditje majtas kjo, meqë Bashkia e Vlorës ka shumë vite që qeveriset nga e majta.
Kreshnik Spahiu i AK-së u bëri thirrje qytetarëve që “të mos blejnë apartamente në pronat e krimit….sepse çdo pallat i ndërtuar që cënon kushtet dhe sigurinë urbane do t’i nënshtrohet hetimit dhe do të shkatërrohet, nëse do të jetë në mospërputhje me kushtet dhe rregullat urbane.”
E.Zaloshnja
Add new comment