Alarmi i Toksikologjisë: Çdo ditë në Shqipëri ka të dehur 14-15 vjeçarë

Postuar në 06 Prill, 2014 00:58

Numri i të rinjve por edhe i femrave që kanë probleme me alkoolin po vjen në rritje. Sipas të dhënave të repartit të Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", çdo ditë paraqiten 10 persona të alkoolizuar, ku një numër i madh i tyre janë adoleshentë. Ky numër, në ditë festash dhe sidomos gjatë fundjavës, kur të rinjtë dalin për jetë nate, dyfishohet. Duke folur për “Gazetën Shqiptare”, shefi i shërbimit të Toksikologjisë, Zihni Sulaj, thotë se të rinjtë nën moshën 30 vjeç përbëjnë gati 30 për qind të rasteve që shtrohen, sepse kanë probleme madhore të varësisë ndaj alkoolit. Kjo sëmundje, siç e quan Dr. Sulaj, është një plagë e dyfishtë për shoqërinë, pasi veç problemeve shëndetësore shkakton edhe probleme të shumta sociale.

"Jemi përpara një problemi mjaft serioz. Është shumë alarmante të shikosh të rinj të moshës 14-15 vjeçare që vijnë të dehur e të intoksikuar në Urgjencë. Ne kemi statistikat tona, rreth 30-40% e aktivitetit të punës sonë lidhet me pacientë me probleme me alkoolin. Nuk ka ditë që të mos vijnë në Urgjencë 8-10 ose edhe më shumë persona të alkoolizuar. Situata bëhet edhe më e mprehtë në ditë të caktuara festash, apo gjatë fundjavave të pushimit. Numri ndonjëherë shkon edhe në 20 apo 30 vetë, ka pasur raste që kanë ardhur edhe grupe të tëra individësh, që vijnë të dehur, të intoksikuar. Të rinj të varur, për fat të keq, ka plot. Mosha nën 30 vjeç e tyre zënë rreth 30% të të gjitha rasteve, që shtrohen këtu me probleme madhore të varësisë ndaj alkoolit. Duhet me çdo kusht të kemi një program kombëtar të ndërhyrjes, për edukimin, parandalimin primar, por edhe trajtimin e kurimin", - ka deklaruar Prof. Dr. Zihni Sulaj, shef i Toksikologjisë.

Për më shumë: http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/flet-shefi-i-toksikologjise-cdo-dite-ka-te-dehur-14-vjecare-181451.html

k.k

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Nje plage e rende e shoqerise sa me shpejte ta kuptojme aq me mire per filizat e rinje</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.